Shpallen fituesit e projekteve rinore për zhvillimin e komunitetit

DSC_0397_0

“Unë e kam ndjerë gjithmonë mungesën e një qendre rinore në fshatin tim, të një vendi ku, ne, të rinjtë të mblidhemi, të bisedojmë, të mësojmë gjëra të reja, por edhe të shpalosim talentin tonë. Prandaj, vendosa që të aplikoj me projektin e qendrës rinore”, – tha Arditi nga Librazhdi sot, në aktivitetin ku u shpallën 10 fitues, mes 55 aplikantëve nga gjithë vendi. Ata, iu bashkuan thirrjes së World Vision rreth dy javë më parë, dhe dërguan projektet e tyre, që synojnë të përmirësojnë jetën në zonat ku jetojnë.

“Falë fuqisë së ideve tuaja, e pamë Shqipërinë ndryshe, më të bukur sepse ju nuk jeni nga ata të rinj që ankoheni për gjërat që nuk shkojnë mirë por, ju punoni për t’i ndryshuar”, – tha Toni Gogu, drejtori kombëtar i World Vision. Idetë e të rinjve përfshinin organizimin e netëve poetike, bisedave të hapura që të rinjtë të shprehin veten, organizimin e aktiviteteve për fëmijët më në nevojë, por edhe rikonstruksionin e qendrave ditore për të moshuarit. “Unë kam menduar që përmes projektit tim të bëj të lumtur fëmijët jetim sepse, ata kanë nevojë për shumë dashuri”, – tha Pranvera nga Elbasani.

 

Të rinjtë, do të mbështeten financiarisht nga World Vision për të vënë në jetë idetë e tyre. Secili prej tyre do të ketë në dispozicion 1000 $. Kjo nismë, është një bashkëpunim i organizatës me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë si dhe Shërbimin Kombëtar për Rininë. “Kemi nevojë për idetë tuaja, që të mund të ngremë rrjete të mirëfillta, bashkë me donatorë dhe partnerë të tjerë. Në këtë mënyrë, të gjithë së bashku mund ta bëjmë më të mirë jetën e të rinjve në Shqipëri”, – tha ministri Klosi, i pranishëm në takim.

Kjo nismë është vetëm një fillim i mundësive të shumta që World Vision në bashkëpunim me institucionet shtetërore dhe shoqërinë civile do t’i japë të rinjve, sepse ne besojmë që nëse ata kanë mbështetje për të zhvilluar potencialin e tyre të plotë, kanë forcën për të ndryshuar vendin.