Rrugëtimi i Eriseldit në zhvillimin e karrierës

eriseldi 1

Erilseldi sapo ka përfunduar vitin e tretë në shkollën e mesme profesionale “Hamdi Bushati” në Shkodër dhe në shtator do të rikthehet në bankat e shkollës si maturant. Nga pasioni për kuzhinën që në vogëli, ai ka zgjedhur të studiojë në degën Hoteleri-Turizëm, në profilin Kuzhinë-Pastiçeri, por edhe sot pas tre vitesh i qëndron fort të njëjtës ide.

Arsimi profesional të ofron shumë mundësi dhe është një formin për të cilin çdo student ka nevojë në ditet e sotme,” – thotë Eriseldi 18 vjeç, nga Shkodra.

Pothuajse çdo të ri dhe të re, persiatjet për profesonin e shoqërojnë gjatë gjithë viteve të rinisë.  Është mosha kur dëshirat drejt së ardhmes gëlojnë më shumë se kurrë. Thuajse një hap i ndan nga prekja e ëndrrave dhe një vend po kaq të rëndësishëm e zë edhe dilema për zgjedhjen e  profesionit. Por Eriseldi duket se e ka nisur mbarë rrugëtimin e karrierës së tij.

Gjithmonë e kemi mbështetur dhe këshilluar Eriseldin në vendimet e tij sidomos kur bëhej fjalë për të ardhmen. Që i vogël Eriseldi ka pasur pasion kuzhinën, kështu që kur ai mori hapin për zhvillimin e karrierës së tij në këtë drejtim, ne e përkrahëm pasi kjo ishte ëndrra e tij, “- shprehet e gëzuar mamaja e Eriseldit.

Prej muajit mars Eriseldi është bërë pjesë e grupit të të rinjve të angazhuar nga projekti “Rrugët e Zhvillimit të Karrierës: Përgatitja e të rinjve nga Shqipëria dhe Mali i Zi për mundësi karriere në sektorin e Turizmit” që synon të rrisë kapacitetet dhe mundësitë ekonomike për të rinjtë në rajonin ndërkufitar të Shkodrës dhe Ulqinit dhe të kontribuojë në rritjen e mundësive për të rinjtë që të jenë konkurues qoftë në tregun lokal apo atë rajonal të punës.  

“Aktivitetet kanë qenë shumë pozitive për të gjithë nxënësit sepse kanë shkëmbyer eksperienca profesionale me bashkëmoshatarët e tyre dhe kanë zhvilluar aftësinë e punës në grup,” – na tregon mësuese Stejsi.

Gjatë këtyre muajve ai ka qenë pjesë e aktiviteteve dhe trajnimeve të ndryshme, ku ndër të tjera na tregon rreth trajnimit për medotat e studimit të tregut. 

“Ishte eksperiencë interesante sepse atë që mësuam në trajnim e vumë në praktikë menjëherë, dhe mësuam mbi kërkesat e bizneseve lolake për të rinjtë që punësojnë,” – thotë Eriseldi.   

Një nga përvojat mbresëlënëse që Eriseldi veçon, ishte panairi i të rinjve që u mbajt në Shkodër në fund të muajit qershor. Ai ishte pjesë e të rinjve nga Shkodra dhe Ulqini që u bënë bashkë për të realizuar këtë panair ndërkufitar ku ata prezantuan punime të ndryshme.

Panairi ishte diçka e re dhe një eksperiencë fantastike. Ishte një punë e madhe por e arrirë me sukses. Bashkë me nxënësit nga Ulqini, ishte bukur të shihnim se si dy vendet tona fqinje u prezantuan me të përbashkëtat dhe veçantitë që i karakterizojnë. Panairi ishte i mbushur me kreativitet nga punimet e të rinjve dhe mundësi të reja,”- thotë Eriseldi me një frymë.

Të rinjtë jo vetëm që shpalosën afësitë e tyre sipërmarrëse duke paraqitur produkte artizanale të përgatitura nga vetë të rinjtë por edhe i prezantuan ato tek vizitorët dhe bizneset duke synuar kështu mundësi punësimi pranë këtyre bizneseve.

Eriseldi tregon se gjithmonë ka dashur që pasionin për kuzhinën ta kthejë në profesion dhe ëndrra e tij pak nga pak po bëhet realitet, pasi aktualisht është në një internship në një biznes lokal.

Ai është entuziast se në degën që ka zgjedhur, gjithmonë do të jetë duke eksploruar gjëra të reja, por edhe aktivitetet që ka marrë pjesë thotë se e kanë ndihmuar që të mësojë aftësi të reja, si bashkëpunimi apo puna në grup.

“Për të gjithë të rinjtë sugjeroj arsimin profesional. Është një rrugë e gjatë por plot me gjëra të bukura. Jam i sigurt që të gjithë ata që po e lexojnë rrëfimin tim e kanë një pasion, prandaj dua t’iu them që t’i eksplorojnë dhe t’i ndjekin ëndrrat e tyre,”- e mbyll rrëfimin e tij Eriseldi. shpresëplotë.