Në telajo

Picture

Përzierja e ngjyrave, hedhja e idesë në telajo, krijimi…pak nga pak Armando filloi të përvetësonte pasionin dhe dëshirën e tij për pikturën.

Ai është një prej të rinjve më interesant në qytezën e fëmijëve. Edhe pse pak i ndrojtur, djaloshi ka gjetur një tjetër kanal komunikimi: artin.

Është diagnostikuar me çrregullime të spektrit autik dhe nuk ka qenë e lehtë për familjen të pranonte realitetin. “Fillova të kuptoja që diçka nuk shkonte dhe aq mirë, – thotë mami Armandos – por e kisha të vështirë ta pranoja dhe akoma më të vështirë t’ua komunikoja familjarëve të tjerë. Për ata, Armandoja ishte i shkëlqyer.”

E ëma e Armandos filloi të pranonte me kalimin e ditëve që djali duhej minimalisht të diagnostikohej. Këtë vendim e kishte marrë dhe ishte e përgatitur edhe nëse i duhej te dilte kundër gjithë familjes dhe fisit.

Me mbështetjen e World Vision Albania, Armando filloi të merrte çdo ditë terapi për një vit e gjysmë në një qendër të specializuar në Korçë. Përmirësimet ishin të dukshme. Ai u integrua në sistemin arsimor dhe filloi të ndërvepronte me mësuesit dhe shokët e klasës.

Prej disa kohësh ai ka filluar edhe kursin e picturës tek Qyteza e Fëmijëve në Korçë.

Ndërkohë që Armando duket i lumtur teksa ushtron pasionin e tij, dëgjon me vëmendje këshillat e zysh Figenës.

Ditët e para mendoja se do ishte e vështirë që ai të ambientohej dhe të përshtatej me shokët dhe shoqet e grupit”, – shprehet mësuese Figena Nini, e cila e ka ndjekur Armandon që prej fillimeve të tij në pikturë.

Koha kaloi dhe përgjatë këtyre dy viteve frekuentimi të kursit të pikturës Armando filloi të socializohej.

 “Shkonte me dëshirë në kurs dhe fliste shpesh në shtëpi për marrëdhëniet që kishte krijuar më shokët,” – pohon mamaja e tij.

Ndërkohë që përditshmëria e Rozanës, mamit të Armandos nuk ka qenë me kaq shumë ngjyra sa telajot e të birit. Pas pak kohe, ajo u detyrua të hiqte dorë nga puna e saj dhe të kujdesej vetëm për Armandon dhe djalin e saj më të vogël. Situata ekonomike për shkak të këtij vendimi u përkeqësua. Mamaja e tij ishte shumë e ngarkuar nga ana emocionale, por nuk u dorëzua.

World Vision na ka mbështetur herë pas here si familje, ku me të mira materiale, ku me aplikimin e tarifës me ulje për kursin e Armandos, ku me një fjalë të mirë. Janë gjithmonë të gjindshëm,”- thotë Rezarta duke buzëqeshur.

Falë këmbënguljes së saj dhe dashurisë së birit të saj për pikturën, Armando sot mund të riprodhojë një imazh teknikisht mirë si dhe të interpretojë ngjyrat me një origjinalitet dhe stil të pavarur që e bën atë unik në artin e tij.

World Vision Albania në partneritet me BashkiaKorçë dhe QendraSportiveKorçë ofrojnë prej dy vitesh ofron shërbime edukative për fëmijët në fushën e sportit, arteve, shkencës. Aktualisht, 729 fëmijë frekuentojnë Qytezën e Fëmijëve dhe marrin pjesë në 10 kurse të organizuara nga QendraKulturoreeFëmijëvë “Mihal Grameno”, Korçë dhe në 5 programe të organizuara nga World Vision Albania.

Qyteza e Fëmijëve përmes programeve edukative, kulturore, argëtuese synon të nxisë zhvillimin psiko-motor të fëmijëve, të nxisë zhvillimin intelektual të tyre, të rritë angazhimin shoqëror dhe të instalojë ndjenjën e kohezionit social duke mobilizuar komunitetin përreth në çështje të mirëqenies së fëmijëve.