Gabriela ime

DSC_2598

Më 29 shtator të vitit 2001 erdhi në jetë Gabriela, fëmija i parë për Adrianën. Sipas librit të shenjtë, Gabriela do të thotë “Zoti është forca ime”, sikur ta kish ditur që ai do t’i bëhej miku më i mirë në luftën qe e priste.

Adriana jeton një fshat të Librazhdit.

Ajo tregon se kur vajza lindi, çdo gjë shkoi normalisht. Ajo qau sapo erdhi në jetë, por me kalimin e muajve qetësia e saj nisi ta shqetësojë. Ajo nuk lëvizi kurrë nga vendi ku e linin, nuk e ktheu as kokën. Nuk pa e as nuk preku asnjë lodër. “Kur e laja, ajo nuk reagonte. Imangjino, as uji nuk e trembte. U thoja të gjithëve: Mos ka ndonjë problem çupa? Jo më thonin. Është fëmijë i urtë.  Ma thonte zemra…diçka nuk shkonte… derisa një ditë, kur ishte 10 muajshe e morëm çupën në krahë dhe e shpumë në spital, në Elbasan. Doktori e kuptoi menjëherë. Ka zhvillim të vonuar na tha” – tregon mes lotësh Adriana, mamaja e Gabrielës.

Ata ishin të papërgatitur, ashtu janë ende sot. E kush mund të jetë…

Pas një viti, në jetë erdhi Kristina, vajza e dytë e familjes e cila do të bëhej shoqja e saj më e mirë. Kristina mësoi të ecte, të fliste, të luante. Nga dëshira për të luajtur me të motrën “e mësoi” Gabrielën të ecte, të luante dhe të fliste…vetëm disa fjalë. Klasën e parë e filluan bashkë. Gabriela ishte 8 vjeçe. Kristina 7. Gabriela i griste librat, fletoret me detyrat e shtëpisë. Ndonjëherë ia hidhte librat, ia fuste në çantën e të tjerëve. E motra e mbante përdore gjatë gjithë kohës, rrugës nga shkolla për në shtëpi, e në kthim. Gabriela ia lëshoi dorën shpesh herë dhe vrapoi pa e ditur ku. Kristina vrapoi më shpejt. Ia kapi sërish, ia mbajti fort dhe nuk ia lëshoi kurrë…sepse kështu bëjnë motrat.

Gabriela ka nevojë për logopedi, që të mund të komunikojë me njerëzit që e rrethojnë, të paktën me disa fjalë. “Të më thotë kur ka uri, kur ka etje apo kur do të dalë, të ma thotë me zë jo me ulërima, kaq dua”– thotë Adriana. 

Prej një muaji Gabriela frekuenton qëndrën e shërbimeve të specializuara në Librazhd. Është larg, dhe u duhet të harxhojnë 800 lekë vetëm për transport. “Vajza ka nevojë për fizioterapi që të mund të ecë më mire. Ka nisur të përmirësohet. Më parë nuk i lëshonte gjërat nga dora. Tani i them: Si e ke mësuar tek qendra? Gjërat janë të të gjithëve. Më pas i lëshon. Ka filluar dëgjon disi”- tregon e ëma.

 Por shpenzimet për transport janë të papërballueshme për këtë familje me 7 persona, ku e vetmja që punon është Adriana. “Asistenca që marrim për Gabrielën na shkon për transport  por edhe për shpenzime të tjera. Po doli në rrugë Gabriela  kërkon çfarë të shohë. Po nuk ia bleva fillon qan, bërtet, ulet në tokë, gjuan…të gjithë pastaj shikojnë nga ne, na e bëjnë me gisht, sikur hallin ta kenë ata jo ne. Detyrohem i blej çfarë më kërkon…”- tregon Adriana.

Pasi iu bashkua skuadrës së World Vision në Librazhd, ku mësoi shumë për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe për ata më në nevojë Adriana nisi shkollën e lartë për ciklin parashkollor.

“Doja të mësoja më shumë për fëmijët me aftësi të kufizuar.  Iu bashkova World Vision sepse në fshat nuk kisha asnjë informacion, kemi vetëm një infermiere dhe asnjë njeri tjetër”- thotë ajo.

Falë formimit të saj, Gabriela nuk ka rreshtur kurrë së shkuari në shkollë, ka mësuar disa gërma dhe numrat deri në 10. Sot është 15 vjeçe dhe shkon në klasë të 8-të por nuk ka marrë asgjë nga shkolla gjatë gjithë këtyre viteve, ka qenë vetëm frekuentese, nuk ka pasur kurrë plan individual edukimi tregon Adriana.

Që Gabriela të ketë mundësi për më shumë senca fizioterapie dhe logopedie, ne kemi nisur programin “Tungjatjeta”, që ofron vizita dhe shërbime për fëmijët me Aftësi të Kufizuar, në zonat më të thella të vendit, pranë banesave të tyre.Studimi ynë i fundit tregoi se rreth 70,000 fëmijë në vend jetojnë me një vështirësi të thelluar dhe 92 % e tyre nuk aksesojnë shërbimet që u nevojiten.