Fëmijët e mi

c1700388 _Photo7_Lezha ADP _VBargjo

 “Në 10 vite u gëzuam me 6 fëmijë. Mbaj mend njëherë që ishte dimër, ftohtë, shiu binte në divanët e krevatët ku flinim, në atë dhomëz të vogël që mezi mbahej në këmbë. Nuk e di si mu dha e iu thashë fëmijëve hajde dilni këtej matanë. Sapo lëvizën ata, direkt ra tavani. U tmerruam. Dëshira e vetme e atyre fëmijëve ishte të fusnin kryet diku e të kishin te hanin. Pastaj vumë plasmas sipër në vend të tavanit… çfarë t’ju tregoj, vuajtje të papara” – rrëfen Gjyste Toni.

Por kjo nuk ishte fatkeqësia e vetme e familjes që kishte imigruar nga Velipoja. Babai i fëmijëve ndërroi jetë ende në moshë të re, 34 vjeç.

World Vision Shqipëri&Kosovë së bashku me klubin Steel Wings vendosën t’iu vinin në ndihmë. Dhomën, muret e së cilës i kishte ngritur bashkëshorti ende sa ishte në jetë e rregulluan me gjërat e domosdoshme që ka një strehë për të qenë e sigurtë.

Këtu kanë qenë vetëm 2 dhoma, pa rregulluar fare…kanë shtruar dhe pjesën përpara se vinte gjithë uji brenda. Na kanë vënë krevate, dyshekë, dyer, xhama. E ju betohem që ua them fëmijëve gjithmonë vështirësitë që kemi kaluar. Dy shtëpitë janë ngjitur e kushdo mund ta vërë re ndryshimin. E mira s’ka fund, por prapë jemi shumë mirë” – kështu na e përshkruan 39-vjeçarja ditën e parë kur mbrëmja do ta gjente të qetë, pa u zgjuar shpeshherë gjatë natës për të parë nëse fëmijët.

Të vegjëlit janë arsyeja për të cilën ajo jeton. Momentet më të bukura i kalon me ta, e bëjnë të qeshë e i tresin mërzinë.

Më i madhi prej tyre vendosi të punojë këtë verë si kamarier gjatë verës, por jo vetëm për të ndihmuar nënën të siguronte bukën e motrave e vëllezërve thotë ai: “Shihja nënën të lante rrobat me dorë në oborr. Dimri nuk është aq i butë sa në Tiranë këtej në Kolsh të Lezhës, por edhe vera është e nxehtë. Mblodha lekët dhe i bëra një surprizë. I bleva një lavatriçe. Veç t’i shihnit si i shkëlqenin sytë nga gëzimi. Unë e kam nënë e ajo rrobat tona lan. Nuk jemi të pasur, por jemi të pastër.

Papunësia ka qenë shkak i mospërmbushjes së shumë dëshirave të fëmijëve të saj.

World Vision vendosi të jetë mbështetje për mua edhe këtë herë. Nuk e harroj kurrë atë ditë, u mblodhën të gjithë, edhe Bashkia… njëherë më thanë të punoj te peshku, por tani jam sanitare te kjo kisha këtu afër. Fëmijët i le vetëm gjatë kohës që nuk jam, se s’kam me kë t’i le. Kur iki te puna gjithë kohën them me vete: O Zot mi ruaj sa të kthehem në shtëpi se të vegjël janë, i ve flakën shtëpisë e nuk e kupton” – pëshpërin e frikësuar, me shpresën se kjo situatë nuk ka për t’i ndodhur asnjëherë.

Ditët pasojnë njëra-tjetrën e pranvera vjen shpejt.

“Vajza e vogël e ka dashur shumë të atin dhe sa fillojnë të çelin lulet, fillon e bën dy tufa me lule të freskëta. Thotë një e dua t’ia çoj babit e një për zonjën, nënën e Jezu Krishtit”- thotë e ëma ndërsa e bija fshihet pas saj.

Fëmijët kanë plot ëndrra për të ardhmen e tyre. Njëra vajzë do të jetë gazetare, djali inxhinier, kurse tjetra do të ketë një kukull se s’ka pasur asnjëherë, por Gjystja qendron e heshtur para dëshirave të tyre sepse mundësitë janë të pakta.

E ndërsa për vete nuk kërkon asgjë tjetër përveçse të vazhdojë të punojë, për djalin e madh do t’i ngelë merak gjithë jetën nese nuk do e vazhdojë dot shkollën e lartë.