“Ëndrrat përballë realitetit”

entela

Historia është shkruar nga Xhesika Pasha nga Tirana, për blogun “Reporteri”

Pamundësia për të blerë librat nuk e shuajë dëshirën e madhe Entelës, për të studiuar dhe për të shkuar në universitet.

Entela Imeri është një vajzë 15-vjeçare, që jeton në qytetin e Bathores   me prindërit  dhe dy motrat. Familja e saj ishte ndër të parat, që u shpërngul nga Veriu për në kryeqytet, ashtu siç bënë gjithë familjarët në vitet ’90, duke kërkuar mundësi më të mira jetese. Por vështirësitë ekonomike e ndoqën familjen e saj, edhe sot . Një ditë Entelës i bënë me dije se për shkak të kësaj gjendjeje do duhej t’i ndalonin shkollën, nëqoftese nuk do mund të gjenin një mënyrë për të siguruar librat dhe për të paguar shpenzimet.

Ajo bashkë me motrat janë rritur në një mjedis të varfër, pothuajse çdo dimer duke u rënë shiu mbi kokë dhe ndonjëherë duke mos pasur  asgjë për të ngrënë. Gjatë një bashkëbisedimi të shkurtër me të Entela shprehet: “Stina e dimrit shpesh herë ka qenë të papërballueshme për ne, aq sa më është dashur të ndërpres edhe shkollën nga gjendja jo e mirë shendetësore dhe pamundësia për ta bërë rrugën në këmbë nga stuhitë e mëdha të shiut”.

Babai, si kryefamiljar bënte të pamundurën për të gjetur një vend pune, madje është detyruar të shesë gjithë tokën e tij, që të paktën të ndërtonte një shtëpi, sepse kasollja e dikurshme ishte e pabanueshme.

Entela sapo mbaroi klasen e nëntë, me rezultate shumë të larta dhe me dëshirën akoma më të madhe për t’i ruajtur këto rezultate.

Por prindërit e Entelës për shkak të gjendjes ekonomike u detyruan t’i thonin, se nuk mund ta vazhdonte shkollën e mesme, sepse ata nuk i përballonin dot këto shpenzime.

Ajo është rritur me këtë gjendje pamundësie, madje herët a vonë e priste një gjë të tillë. Shpresat dhe përpjekjet e saj për studime nuk janë shuar kurrë. Kjo vajzë 15-vjeçare arriti t’i sigurojë vetë shumicën e librave që i duheshin, duke pyetur çdokënd që njihte nëse mund ta ndihmonin me libra të vjetër.

“Nuk lodhesha duke kërkuar librat, sepse po kërkoja për të ardhmen time”–  rrëfen ajo.

Edhe pse në shkollë shkoi një javë me vonesë, pasi iu desh t’i gjente librat, sot ajo është një ndër nxënëset që shkon me vullnetin dhe dëshirën më të madhe.