Fshati i rrallë me teatër kukullash

Sheqerasi, që ndoshta të gënjen me emrin, është fshati më i ftohtë të Shqipërisë. Ose të paktën, këtë të tregojnë banorët e tij. Por në fshatrat përreth, Sheqerasi, më shumë se për të ftohtin njihet për diçka tjetër, më të ngrohtë. Në shkollën e mesme të këtij fshati një grup nxënësish,Gloria,Mikaela,Agimi,Artjoni,Festina,bashkë me profesorin e tyre, Xhonin, janë bërë bashkë për të ngritur një teatër shëtitës kukullash. Kjo mund të duket një ngjarje e vogël në metropol, por është një ngjarje shumë e madhe për shkollën e një fshati.

Për ta ndihmuar këtë teatër të lëvizshëm është impenjuar dhe World Vision Shqipëri, nëpërmjet iniciativës së të rinjve të grupit. Fokusi i iniciativës ishte gjenerimi i të ardhurave. Për këtë arsye fëmijët kanë patur si ide të bënin një tur me teatrin e lëvizshëm të kukullave që tashmë ata e kishin krijuar prej muajsh. Organizata iu ka mundësuar foninë, transportin dhe shtypjen e biletave. Po ashtu, organizata i ka ndihmuar për të marrë leje në Drejtorinë Arsimore të Bashkisë Maliq për të dhënë këtë shfaqje me dy akte, në shtatë shkolla.

Shfaqja është mbështetur në kuadër të nismave që të rinjtë e projektit Impact nga familjet e rikthyera kanë ndërmarrë për të gjeneruar disa të ardhura që të përdoren për një kauzë sociale.

Shfaqja që ata kanë vënë në skenë titullohet “Arjana e vogël”. Biletat janë shitur ne vlerën modeste prej 30 lekësh të reja ndërkohë që u printuan edhe ftesa.

Turi i parë ka qenë i gjithi i organizuar nga World Vision Shqipëri dhe nga projekti RE-IN-VEST i mundësuar nga GIZ dhe qeveria gjermane, duke e ndihmuar këtë teatër me materiale dhe transport. Por mrekullia ka ndodhur më vonë. Pas përfundimit të këtij turi, fëmijët e kanë vazhduar vetë këtë iniciativë sepse tashmë “ia morën dorën”. Ata arritën të kuptojnë që nëpërmjet të ardhurave nga një shfaqje, mund të paguanin më pas transportin për një tur të dytë.

Në këto fshatra nuk ka patur asnjëherë teatër dhe ky organizim është parë si i rrallë dhe i veçantë. Maja kulminante e turneut, ishte dhënia e shfaqjes në Qytezën e fëmijëve në Korçë, e cila është qendra më e madhe multifunksionale në Shqipëri.

Mikela është 16 vjeçarja që studion në Shkollën e Mesme të Bashkuar Sheqeras dhe luan rolin e gjyshit në shfaqjen “Arjana e vogël”.

“Qysh kur kam qenë e fëmijë kam patur dëshirë të aktroja, luaja, imitoja dhe këndoja para pasqyrës. Kur erdhi rasti të bënim teatrin lëvizës të kukullave, më pëlqeu shumë si ide dhe e mora me kënaqësi të madhe. Ideja për këtë teatër dhe këtë shfaqje na lindi gjatë pandemisë kur menduam të sillnim diçka ndryshe për fëmijët dhe arritëm të organizoheshim duke ngritur teatrin lëvizës,” – tregon Mikela.

Por ka një arsye se pse ato kanë zgjedhur pjesën “Arjana e vogël”.

E veçanta e kësaj shfaqjeje është ndërveprimi i aktorëve me publikun. 16-vjeçarja tregon se “kjo shfaqje është shumë argëtuese për fëmijët pasi e testuam dhe pamë që kjo ishte mjaft zbavitëse për ta, sidomos pjesa ku aktorët pyesnin publikun e të vegjëlve dhe ata përgjigjeshin.”

“Kemi shëtitur në shumë fshatra dhe kemi marrë tepër kënaqësi sidomos për duartrokitjet dhe të qeshurat që shkaktonim te fëmijët. Ata ishin shumë të vëmendshëm dhe na ndiqnin më shumë kureshtje,”-rrëfen Mikela.

Ata thonë se i kanë prekur të gjitha shkollat e Maliqit, ndërsa tani duan që të bëjnë një tur në kopshtet e qytetit të Korçës. Supriza e tyre është një pjesë e re skenike, që janë duke e punuar me mësuesen e tyre të Gjuhës dhe Letërsisë.

Falë tyre, Sheqerasi, nuk është më aq i ftohtë.