Një grua e fuqizuar, një familje e fuqizuar

You are here

Një grua e fuqizuar, një familje e fuqizuar

 “Jeta në fshat nuk është e lehtë për vajzat dhe gratë. Duhet të punosh shumë dhe shpesh përballesh edhe me paragjykim,” - thotë Nertila nga Korça, nënë e tre fëmijëve.

E martuar në moshën e ëndrrave, vetëm 19 vjeçe, ajo nuk arriti dot të shkollohej dhe të merrte një profesion. 36-vjeçarja kujton se i është dashur të punojë që në adoleshencë, ku bashkë me tre motrat angazhohej në bujqësi për të ndihmuar familjen. Edhe pas martesës, puna në bujqësi mbetet e vetmja mundësi për të dhe i vetmi burim të ardhurash për familjen e saj.

 “12 vitet e para të martesës nuk kanë qenë të lehta, pasi jetonim bashkë në një familje të madhe tradicionale shqiptare. Kur kaluam në folezën tonë me bashkëshortin dhe 3 fëmijët, atëherë kuptova me të vërtetë se si është të jesh një familje e bashkuar. M’u duk sikur u rimartova,”- na tregon Nertila.

36-vjeçarja është grua energjike, kurajoze dhe ambicioze. Pavarësisht se vetë nuk arriti të ketë një profesion, të gjithë të ardhurat i investon për mirëqenien dhe shkollimin e fëmijëve. Drita e parë e mëngjesit, para se të lindë dielli, e gjen atë në arë. Aty derdh gjithë mundin dhe djersën, që tre fëmijët e saj Inva, Irineo dhe Noeli të kenë gjithçka që u nevojitet.

 “Për disa vite jemi marrë me kultivimin e mollëve. Kishim mbjellë rreth 8 dynymë tokë dhe ishte një punë kolosale. Fitimet nuk ishin të mëdha dhe tani po merremi me kultivimin e fasuleve. Bashkëshorti është krahu im i djathtë.  Pa të do ishte e pamundur, pasi mua më duhet të kujdesem edhe për fëmijët,” - vijon rrëfimin e saj 36-vjeçarja.

Nertila jeton në një fshat rreth 14 km në periferi të Korçës, por afërsia më qytetin nuk e ka zbutur paragjykimin në atë zonë. Mbështetja e saj më e madhë është bashkëshorti i saj, i cili ka dalë mbi mentalitetin.

 “U bëra pjesë e grupit të fermerëve me shumë dëshirë, duke mposhtur çdo paragjykim të fshatit. Në fshat ka shumë llafe, shikojnë kush hipën e kush zbret nga dera e autobusit dhe pastaj fillojnë të flasin. Megjithatë, falënderoj Zotin që kam një shok jete që më mirëkupton dhe më mbështet. Është shumë e rëndësishmë për një grua që bashkëudhëtarin e jetës ta ketë mbështetje”.

Prej disa vitesh, 36-vjeçarja është pjesë e grupit të fermerëve të World Vision Albania dhe është mbështetur me inpute të ndryshme bujqësore për të rimëkëmbur ekonominë familjare.

“Po të mos isha angazhuar me World Vision, e ardhmja ime si fermere, e burrit tim dhe e fëmijëve të mi do të ishte më e vështirë. Çdo gjë është shtrenjtuar shumë. Pandemia na dëmtoi. Jemi mbështetur me pompa spërkatëse e vaditëse dhe kjo na e ka lehtësuar punën. Edhe mbështetja me plehëra kimike na kurseu shpenzimet për bujqësinë. Lekët që do të duhej të shpenzoja për blerjen e këtyre pajisjeve, po i investoj për shkollimin e fëmijëve,”- thotë Nertila.

Përveçse fermere e zonja, Nertila është nënë dhe bashkëshorte e përkushtuar. Më një fëmijë të vogël në shtëpi, një vajzë adoleshente dhe bashkëshortin që emigron rreth 3 muaj në vit çdo dimër për të siguruar për familjen, gjetja e ekuilibrit është e vështirë për të.

“Trajnimet që kemi bërë me World Vision Albania për familjen, martesën, prindërimin më kanë ndihmuar shumë. Edhe fëmijët i kanë vlerësuar. Kuptova që kënaqësia gjendet vetem në familje, siç zbulova disa teknika të reja prindërimi. Kur je e lodhur nga puna, kur prodhimi nuk të shitet, kur fëmijët kërkojnë më shumë gjëra, nuk është e lehtë të ruash qetësinë dhe të prindërosh. Falë këtyre trajnimeve, familja jonë është më e fortë. Tani bashkëbisedojmë për çdo gjë, ndajmë shqetësimet dhe gëzimet, por edhe kalojmë kohë cilësore,”- shprehet nëna e tre fëmijëve.

Për Nertilën, përparësi ka shkollimi dhe fuqizimi i fëmijëve. Inva, vajza e saj e madhe, është gjithashtu e përfshirë në programet e World Vision Albania.

“Për njeriun, e rëndësishme është të gjejë rrethin e vet mbështetës. Për mua ka qenë bashkëshorti dhe vajza e madhe, të cilën e kam si shoqe. Ajo është pjesë e grupeve IMPACT dhe dua që të ndjekë rrugën e dijes. Të shkolloj fëmijët, ti edukoj të punojnë me ndershmëri; kjo është ajo që dëshiroj në jetë. Nëse ndihmojmë njëri-tjetrin, mund t’ia dalim,”- e mbyll rrëfimin e saj fermerja nga Korça.

Tungjatjeta.al

 
Jasmina
Shqipëri
Elvani
Librazhd
Sara
Shqipëri
Juliani
Librazhd
Fjorida
Librazhd
Oligerta
Shqipëri
Arta
Shqipëri
Altin
Shqipëri
Ana
Shqipëri
Klajdi
Shqipëri
Emanueli
Shqipëri
Arjani
Shqipëri
Soni
Shqipëri
Marigleni
Shqipëri
Emiljano
Shqipëri
Alesia
Shqipëri
Donaldi
Shqipëri
Irena
Shqipëri
Leonora
Shqipëri
Selma
Shqipëri
Bruna
Shqipëri
Gabriela
Shqipëri
Ardiani
Shqipëri

Twitter Feed

 

Facebook Feed

 

Na Kontaktoni

Shqipëri
  • Rruga “Vëllezërit Manastirli”, Ndërtesa nr. 4,
    P.O.Box 1725, Tirana, Albania
  • Tel: +355 4 2419601
  • Email: worldvisionalbania@wvi.org

empty

Na Ndiqni