Jeta mes mjaltit e diellit/ Kur ndihma vlen për të gjetur vetveten

MicrosoftTeams-image (208)

Në një fshat të thellë të Mirditës, mbi një kodër të butë gjendet banesa e Palit. Ajo është e veshur e gjitha me tulla të kuqe dhe duket një shtëpi mikpritëse dhe e ngrohtë. Dielli nuk mungon asnjëherë në ballkonin e tij pasi ai vend është plot dritë. Në bahçen përballë ka të rreshtuara dhjetëra koshere me bletë. Por historia e jetës së Palit nuk ka qenë gjithmonë kaq e mbushur me shkëlqim dhe mjaltë. Ai ka përjetuar dallgë jo të vogla në jetë, të cilat e kanë bërë një njëri të vuajtur, por me dëshirë të madhe për të punuar dhe jetuar.

Por, familja e jeta e Palit nuk ka pasur përherë diell. I rikthyer nga emigracioni në një fshat të thellë, i detyruar t’ia nisë nga zero dhe me sfida shëndetësore në familje, Palit i duhej një motivim i fortë për të mos u zhytur në dëshpërim. Këtë nxitje motivuese e mori përmes programeve të World Vision Shqipëri:

Empower World View që ka në fokus një këndevështrim të ri për familjen, vendin dhe komunitetin; si dhe Celebrating Family, një program që u jep mundësi disa familjeve të mblidhen bashkë dhe gjatë trajnimit 2 ditor mësojnë si të vlerësojnë më shumë anëtarët e familjes, dhe të kenë një këndvështirm fitues dhe pozitiv në lidhje me familjen.

Familja e Palit ka marrë pjesë në të dy programet, dhe ky ishte hapi i parë i ndryshimit. Më tej, World Vision Shqipëri i dha mundësi Palit të ngrinte një start up përmes RE-IN-VEST, dhe të rigjente gëzimin e punës.

Pali punën e ka nisur që kur ishte shumë i ri, ka provuar emigracionin dhe punën intensive. Ka qënë gjithmonë larg familjes dhe nuk e ka shijuar të plotë atë në moshën kur ndoshta kishte më shumë nevojë. Megjithatë sot gjendet pranë saj, me dëshirën për të mos u larguar më asnjëherë nga ajo.

Rrëfimi i tij fillon jo në vitin kur ka lindur, por kur ka emigruar për herë të parë. Ka qenë viti 1991 kur është nisur për në Greqi, drejt Korfuzit ku ka qëndruar me vajtje-ardhje të shkurtra deri në vitin 2011.

“Nga 2011-a e këtej u shkëputa nga Greqia sepse linda një vajzë e cila ka probleme me autizmin. Fëmijët me autizëm janë fëmijë të mrekullueshëm, edhe pse ndryshe nga të tjerët. Por, në Shqipëri është tepër e vështirë në

trajtim dhe kurim, çka e kthen atë në një barrë.

Vajza është 13 vjeçe dhe këtu e kemi vështirë për t’i bërë terapitë që ajo kërkon. Megjithatë, terapia më e madhe që asaj i nevojitet është të këtë babin pranë, kështu që unë jam i detyruar të jem prezent në çdo ditë të sajën. E ndjekim me një specialiste këtu në fshat, por prapë është shumë pak në krahasim me ndihmën që asaj i duhet”tregon Pali të cilit i lexohet në sy pikëllimi që ka për vajzën e tij.

“E shoh që vajza ka pasion muzikën, por kam venë re që niveli shoqëror në Shqipëri është shumë i ulët dhe e kam të vështirë të gjej profesionistë për të trajtuar atë.”

Por pavarësisht vështirësive ai nuk ndalet asnjëherë së punuari. Çfarë i sheh syri, ia bën dora dhe kjo dallohet nëse i hedh një sy bahçes që duket se e mban me shumë kujdes.

Përveç Greqisë, Pali ka provuar edhe Gjermaninë.

“Pasi erdha nga Greqia në 2011, e pashë që me vajzën e kisha të vështirë dhe u nisa për në Gjermani së bashku me familjen me idenë për të gjetur një mundësi që ajo t’i kishte sa më të lehta terapitë që i duheshin. Në fillim u stabilizova mirë, mora edhe shtëpi, por pas 9 muajsh atje nuk na dhanë asnjë shpresë se mund të bënim dokumente, ndaj alternativa më e mirë ishte kthimi. Kisha lënë edhe nënën këtu e cila ishte vetëm dhe e ndjeja që kishte nevojë për mua”rrëfen Pali.

Me rikthimin në Shqipëri, ambicja e tij ishte që të shtonte bletë në shtëpinë vet. Idenë se çfarë donte e kishte, por mundësinë për ta realizuar, jo.

Përmes Shërbimit Social në Bashkinë Mirditë, Pali ra në kontakt me World Vision Shqipëri që po zbatonte në zonë programin RE-IN-VEST, mbështetur nga GIZ dhe qeveria gjermane. Përpara se t’i ofronin mundësinë për të ngritur një start up, organizata e nxiti Palin të përfitonte një trajnim intensiv me metodën CEFE, një metodë trajnimi kjo për sipërmarrësit e rinj. Kjo metodë i nxit ata të mendojnë në mënyrë kreative për idetë e biznesit, dhe si t’i zhvilllojnë ato ide, duke i ndihmuar jo vetëm në hartimin e planit të biznesit, por dhe sesi ky biznes menaxhohet e zhvillohet.

“Unë bletë kam mbajtur më përpara në shtëpi.

Familja ime ka mbarështruar bletë, jo aq shumë, por ka patur. Është një punë që dija ta bëja që i vogël. Mora pjesë në një trajnim tre ditor CEFE për ngritjen e një plani biznesi, dhe më pas më mbështetën dhe me bazë materiale, pajisje, dhe 40 koshere bletësh, dhe pastaj bletët i kam siguruar vetë. Sepse është partneritet, nuk është lëmoshë. Tani kam 15 koshere me bletë, dhe pjesën tjetër i kam në magazinë, bosh, që pres t’i mbush së shpejti, pasi ambicia ime është që t’i shtoj sa më shumë”shpjegon Pali.

Sa herë që flet për bletët, për kosheret, kullotat, prodhimin dhe ritmin sesi po shtohen, Palit i mbushen sytë me dritë.

“Një koshere bletë, në gjendje të mirë, mund të të japë

nga 10-17 kg. Mjalti shitet në çdo kohë, nuk qëndron stok asnjëherë, kështu që në këtë drejtim tregun e kemi të siguruar”tregon Pali.

Tek puna, tek bletët, tek vendi i vet, Pali duket se ka gjetur qetësinë e tij. Ai beson se bletët sjellin jo vetëm fitim, por dhe mbarësi, dhe një ajër gëzimi mbështjell shtëpinë, ballkonin, familjen e Palit, dhe pa dyshim dhe kosheret që gumëzhijnë në kopshtin e tij.