Festivali i Rinisë 2022 “Të rinjtë përgatiten për mundësi dhe mirëqenie”

DSC01062

Raporti[1]: Vetëm 29% e adoleshentëve ndiehen shpresëplotë për të ardhmen e tyre

Dhjetra përfaqësues të adoleshentëve dhe të rinjve nga 9 Bashki[2] të Shqipërisë do të takohen në Korçë në Festivalin e Rinisë 2022 “Të Rinjtë Përgatiten për Mundësi dhe Mirëqenie”. Ata kërkojnë zgjidhje dhe nuk ngurojnë t’i japin jehonë disa prej çështjeve kryesore që po përballen në ditët e sotme në familje, komunitet dhe shoqëri.

Ndaj, përgjatë 2 ditëve, 30 Qershor dhe 1 Korrik, ata do të kenë mundësinë të bashkëbisedojnë, të mbajnë përgjegjës përfaqësuesit e institucioneve për premtimet e dhëna një vit më parë, por njëkohësisht të venë theksin në problematikat dhe nevojat që brezat e rinj kanë në ditët e sotme.

Ky edicion i 6-të i Festivalit të Rinisë 2022 organizohet nga World Vision Albania në bashkëpunim me Zyrën Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) dhe Kongresin Rinor Kombëtar.

Vit pas viti, ky festival sjell një frymë inovative dhe konceptohet si një platformë ku të rinjtë advokojnë dhe kërkojnë zgjidhje për çështjet që kanë ata dhe komunitetet e tyre. Në të njejtën kohë, zgjerojnë rrjetin e njohjeve, eksplorojnë mundësitë e reja që ofrohen për ta në treg, por dhe argëtohen.

Dita e parë e Festivalit të Rinisë (30 qershor) kombinon aktivitetet sportive me mesazhet avokuese për përfshirjen sociale dhe gjinore të fëmijëve dhe të rinjve. Eventi që do të mbahet tek Qyteza e Fëmijëve, është konceptuar si një finale e mini-kampionateve, të zhvilluara në kuadër fushatës 1 Goal 4 Impact. 108 shkolla në Dibër, Shkodër, Kurbin, Tiranë, Kamëz, Durrës, Librazhd, Maliq dhe Korçë kanë realizuar një sërë aktivitetesh sportive për të rritur ndërgjegjësimin mbi pabarazitë gjinore dhe përjashtimin social në mjedisin shkollor dhe në komunitet. Pjesa e dytë e aktivitetit do të vijojë me një panel nga aktorët lokalë e kombëtarë mbi sfidat dhe mundësitë për ndryshim, lidhur me çështjet sociale që të rinjtë kanë adresuar përmes aktiviteteve sportive.

Dita e dytë (1 Korrik) sjell një buqetë aktivitetesh interaktive, duke krijuar hapësirën e nevojshme për shkëmbim idesh dhe dialogu me politikëbërësit në nivel qendror dhe lokal; me bizneset dhe organizatat që mbështesin aftësitë e shekullit të 21-të, mundësitë për punësimin e të rinjve, por edhe pjesëmarrjen e tyre në programe e nisma që i ndihmojnë për të ardhmen.

Në raportin e realizuar nga World Vision Albania në Korrik të 2021-it, në 13 bashki të Shqipërisë me 977 të rinj të moshës 12-18 vjeç, rezulton se 41% e të rinjve kanë raportuar se nuk zotërojnë aftësitë që iu duhen për të arritur synimet për të ardhmen dhe zhvillimin e tyre.           

Familja, komuniteti, shoqëria dhe ambienti që i rrethon të rinjtë ndikon në mënyrën se si ata e perceptojnë realitetin, ndaj ata kërkojnë më shumë mundësi për zgjidhjen apo minimizimin e problematikave që kanë, si mjet që i ndihmon në arritjen e qëllimeve që kanë për të tashmen dhe të ardhmen.

 


[1] Vlerësimi “Angazhimi shoqëror i të rinjve, aftësitë dhe mundesitë që të rinjtë shohin për vete, familjen dhe komunitetin”, i kryer në Korrik 2021, në 13 bashki, me 977 të rinj të moshës 12-18 vjeç.

[2] Tirana, Durrës, Kamzë, Librazhd, Korçë, Maliq, Kurbin, Shkodër, Dibër