Të jesh i pavarur

DSC_2277

Që të arrish të jesh i pavarur është një fitore personale për secilin prej nesh. E tillë është fitorja që po përjeton Andi, 16 vjeçari nga Librazhdi. Kur ishte ende i vogël, shpesh herë familja e tij e kishte të pamundur të kuptonte sjelljet e djaloshit, por pas disa vizitash në moshën 3 vjeçare ai u diagnostikua me çrregullime të sjelljes.

Në vitin 2018, Andi u bë pjesë e programit ‘’Tungjatjeta’’, ku çdo javë Andi merrte terapi këshillimi në ambientet e shtëpisë.

Blerta, terapistia ekipit “Tungjatjeta…Jetë” na tregon se djaloshi adoleshent ka shumë talente si: këndim; prezantim edhe sportin ku shpesh herë këto elemente i përfshinë në terapinë që ato zhvillojnë. Andi ishte ai që prezantoi aktivitetin e organizuar në Librazhd në kuadër të ditës ndërkombëtare për personat me aftësi të kufizuar për vitin 2021.

Që prej vitit 2021, Andi, tashmë në moshë adoleshence merr të njejtin shërbim në qendrën sociale të Bashkisë Librazhd.

Në fillim ishte e vështirë të përshtatej pranë qendrës, pasi ishte mësuar vetëm pranë nënës së tij. Specialistët e qendrës tregojnë se Andi në fillim nuk i dëgjonte dhe e kishte të pamundur të zhvillonte terapinë, por ndalëngadalë dhe me përkushtim, me hapa të vegjël filluan të realizohen. Andi ka filluar të jetë më i pavarur, ndonjëherë edhe duke shkuar vetë në shkollë, në qendrën sociale, apo të qendrojë vetëm në shtëpi pa praninë e nënës apo të vëllait. Ai ka arritur të shkojë edhe në dyqanin e lagjes të blejë gjërat që i pëlqejnë. Së fundmi, ai është duke praktiktuar si të kujdeset për veten apo si mund të pregatisë çaj. Të gjitha këto ndryshime, për nënën janë fitore të vogla. Madje ajo tani ka gjetur edhe një punë, gjë e cila për disa vite ishte e pamundur pasi në çdo moment duhej të kujdesej për Andin.

Megjithatë nëna e dy djemve kishte edhe ndihmën e djalit të vogël. Herë pas here, kur e ëma nuk kishte mundësi, ai e çonte në shkollë të vëllanë. Aty Andi pati mundësinë që në klasën burimore, të hidhte hapat e parë drejt përmirësimit me mbështetjen e mësuesues ndihmëse, por edhe të kaluarit kohë me shokët e shoqet e klasës.

Djaloshi është në rrugë të mbarë dhe pavarësisht se ndryshimet janë të vogla ato janë të qendrueshme dhe ka nevojë për terapi të vazhdueshme që Andi të vazhdojë përmirësimin.

World Vision Albania në bashkëpunim me Bashkinë Prrenjas, Librazhd, Bulqizë, Dibër, Rrogozhinë dhe Lezhë po ofrojnë çdo javë terapi në shtëpi për 196 fëmijë përmes programit social ‘’Tungjatjeta…Jetë” të World Vision Albania. Ky program në bashkitë Librazhd, Lezhë dhe Rrogozhinë është i mbështetur dhe nga fondi social i Ministrisë së Shëndetësisë Mbrojtjes Sociale.