Nisma që ndryshoi një komunitet

foto

Sara nga Shkodra na tregon se vetëm pak muaj më parë iu krijua për herë të parë mundësia të punonte me një kompjuter në shkollën e saj. 

“Jam e lumtur që më në fund iniciativa jonë për pajisjen e shkollës me kompjutera është bërë realitet. Kjo ishte diçka e re për mua, ndaj ka qenë shumë emocionuese. Tani dua të mësoj më shumë rreth teknologjisë,” – na tregon 15 vjeçarja, e cila pavarësisht mundësive të pakta që ofron zona ku jeton është një vajzë e talentuar dhe përpiqet të sigurojë mundësi të reja për vete dhe bashkëmoshatarët e saj. 

Deri në vjeshtën e vitit të kaluar, në shkollën e  Sarës mësimi bëhej vetëm me tekstin shkollor të Informatikës dhe nxënësit nuk kishin mundësi të praktikonin njohuritë e marra. Pajisja e shkollës me kompjutera po i ndihmon ata të aftësohen në këtë fushë që i tërheq shumë adoleshentët dhe të rinjtë e ditëve të sotme.

“Investimi në Kabinetin e Informatikës ka bërë të mundur pjesëmarrjen e nxënësve tanë në konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare të tilla si “Projekti i Mikrobiteve”. “Roli i teknologjisë bërthamore në adresimin e ndryshimeve  klimaterike” është një tjetër projekt evropian që do të mbahet në Vjenë dhe nxënësit tanë do kenë mundësinë të jenë pjesëmarrës online nga shkolla,”- na tregon Elvina, mësuesja e informatikës. 

Në komunitetin ku jeton Sara, shumë nga familjet në nevojë e kanë të pamundur të kenë një linjë interneti në shtëpi dhe një kompjuter. Kalimi i shërbimeve të institucioneve online i kufizonte ata të merrnin dokumente të ndryshme që iu nevojiteshin. Situata u bë më e vështirë në kohën kur pandemia e COVID19 u përhap edhe në Shqipëri. Qytetarët që nuk kishin një kompjuter apo telefon ‘të zgjuar’ të lidhur me internetin, e kishin të pamundur të aplikonin për “leje-dalje” gjatë kohës së karantinës. 

Ishin të rinjtë e grupeve IMPACT që identifikuan shqetësimin e komunitetit dhe bashkë me shkollën aplikuan në programin e mini granteve të World Vision. Krijimi i një salle shërbimesh ku të ofrohet akses në teknologji për të gjithë komunitetin, nxënësit dhe mësuesit ishte bërë një domosdoshmëri. 

Verën e vitit të kaluar, World Vision pajisi shkollën me kompjutera, një investim që iu vjen në ndihmë jo vetëm nxënësve, por edhe komunitetit. Gjatë orëve të mësimit, salla e kompjuterave përdoret nga nxënësit për të praktikuar njohuritë e marra në lëndën e informatikës. Pas mësimit, kabineti iu vjen në ndihmë edhe qytetarëve për të marrë shërbime të ndryshme online. Salla e kompjuterave është e hapur për komunitetin nga e hëna në të premte deri në orën 16:00. Me ndihmën e një mësuesi apo të një nxënësi nga grupet e të rinjve IMPACT, anëtarët e komunitetit mund të hapin llogari në e-Albania, mund të shkarkojnë dhe të printojnë certifikata familjare e personale, si dhe certifikata vaksinimi apo receta mjekësore. 

Hapësira e re po shfrytëzohet edhe nga shumë të rinj të fshatit për aplikime për punë dhe marrjen e informacioneve të ndryshme. Drejtori i shkollës, Taulanti thotë se anëtarët e komunitetit janë falënderues, por edhe të befasuar që shkolla ofron këto lloj shërbimesh komunitare falas. 

Vetë qytetarët tregojnë se salla e shërbimeve iu kursen kohë dhe para. Më parë ata duhej t’i drejtoheshin njësisë administrative për shërbime që mund t’i marrin edhe online. Lëvizja ishte shumë e vështirë, pasi fshati nuk ka as transport urban. Sot gjithçka është më e lehtë. Ata mund t’i drejtohen shkollës së fshatit dhe t’i marrin këto shërbime falas. 

*World Vision punon me të rinjtë, duke iu siguruar mundësi për të shprehur veten e tyre, për të ndërtuar kompetenca dhe aftësi, si dhe për të ndërmarrë projekte në shërbim të komunitetit.  

Gjatë vitit të kaluar, 13 888 fëmjë të 23 shkollave në 11 bashki të Shqipërisë, përfituan nga mini grantet e World Vision për përmirësimin e infrastrukturës në shkolla dhe për krijimin e ambienteve gjithëpërfshirëse.