20 shkurti shënjon Ditën botërore për Drejtësi Sociale. E ndërsa kjo ditë mund të shihet nga të gjithë, si një mundësi për të dhënë mesazhe që promovojnë drejtësinë sociale, mbase do të ishte këtu rasti për të risjellë në vëmendje atë se çfarë nënkuptohet me “drejtësi sociale”, të paktën në këndvështrimin e World Vision Albania, dhe sa afër apo larg është shoqëria jonë nga ajo. Në një vështrim të përgjithshëm, duket se drejtësia sociale është një koncept i lidhur ngushtë me drejtësinë në vetvete dhe me vulnerabilitetin, si një nga parakushtet ku merr vlerë togëfjalëshi “drejtësi sociale”.
Si një organizatë e cila punon në fushën e mbrojtjes së fëmijëve, World Vision mban mbi supe peshën e promovimit etik të drejtësisë sociale, me qëllim përfundimtar advokimin për, dhe garantimin e mirëqenies së fëmijëve. Edhe pse një koncept i gjerë, drejtësia sociale më së pari është e lidhur ngushtë me respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Kur vjen puna tek fëmijët, si një nga grupet vulnerabël të shoqërisë, një gjë e tillë bëhet sa e domosdoshme, aq edhe emergjente. Shqipëria ka një ligj të posaçëm që garanton të drejtat e mbrojtjen e fëmijës, i cili shprehimisht përcakton qëllimin e tij në Nenin 2, pikat c) dhe ç) si vijon:
c) garantimin e mirëqenies dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së fëmijës, duke promovuar e mundësuar zhvillimin e tyre në shoqëri, ndihmën dhe përkujdesin efektiv për fëmijën, shëndeti dhe mirëqenia e të cilit janë në rrezik; dhe në pikën ç) marrjen e masave për t'i siguruar fëmijës ushtrimin e të drejtave, në përputhje me zhvillimin e personalitetin, bazuar në interesin më të lartë të tij. Megjithatë, gjatë 21 viteve të punës sonë në Shqipëri, shoqëria jonë jo pak herë ka qenë e pasuksesshme për të mbrojtur siç duhet fëmijët. Një shoqëri e cila nuk arrin të mbrojë dhe garantojë të drejtat e njeriut (këtu përfshirë të fëmijëve), nuk mund të jetë kurrsesi e drejtë.
Një shoqëri e drejtë është ajo e cila krijon të gjitha mundësitë dhe lehtësirat e nevojshme në mënyrë që të gjithë anëtarët e shoqërisë të mund të përdorin shërbimet e nevojshme të tilla si: strehimi, ushqimi, shëndetësia, punësimi, arsimi, shërbimet e mbrojtjes, etj. Nëse qasja në shërbime është e kufizuar për shkaqe që lidhen me faktorë të tillë si gjendja ekonomike, mosha, gjinia, prejardhja etnike, apo një pamundësi e caktuar fizike apo psikologjike, atëherë drejtësia sociale nuk është ose është e kufizuar. Të dhënat nga vlerësimi i realizuar gjatë vitit 2020 nga World Vision Albania lidhur me impaktin e COVID-19 tek familjet në vendin tonë, tregojnë se: 62.6%[1] e familjeve të përfshira në studim deklaruan se fëmijët e tyre nuk morën mbështetje psiko-sociale gjatë karantinës.
Të dhëna të tilla tregojnë se si shoqëri kemi ende punë për të bërë në arritjen e barazisë së të drejtave mes njerëzve dhe solidaritetin kolektiv.
Drejtësia shoqërore nuk është e mundur nëse dëgjohen vetëm zërat e disave. Fatkeqësisht, grupet vulnerabël e kanë shpeshherë të vështirë që të përcjellin zërin e tyre tek politikbërësit apo vendimmarrësit. Edhe në rastet kur këta të fundit përpiqen që të ofrojnë zgjidhje të caktuara për çështjet që shqetësojnë grupet e margjinalizuara, rrezikojnë që të japin zgjidhje të cilat nuk janë të përshtatshme plotësisht. Përgjatë 21 viteve të punës sonë në Shqipëri, World Vision i ka kushtuar vëmendje të jashtëzakonshme pjesëmarrjes së fëmijëve në procese që ndikojnë jetën e fëmijëve. Po ashtu, WVA ka nxitur promovimn e bashkëveprimit me grupet vulnerabël për të sjellë ndryshim social. Ne besojmë fortë se transformimi komunitar nuk mund të jetë i njëanshëm, e për rrjedhojë ai nuk mund të ndodhë nëse anëtarët e komunitetit dhe fëmijët nuk janë aty për të thënë fjalën e tyre dhe për ta përqafuar këtë transformim.
Së fundmi, drejtësia sociale përmban si element thelbësor të saj barazinë e mundësive. Të krijuarit e mundësive të barabarta është detyrim i çdo shoqërie të drejtë. Edhe pse nuk garanton arritje të barabarta apo të njësojta për të gjithë anëtarët e shoqërisë, ky element është mjaft i rëndësishëm pasi merr parasysh dallimet dhe kufizimet që mund të ketë individi. Pasojat e pandemisë së COVID-19 po shtojnë rreziqet dhe pabarazitë për grupet në nevojë. Kështu psh. nga vlerësimi që World Vision bëri me familjet për impaktin e pandemisë tek ata, rezultoi si më poshtë:
Si rezultat i pandemisë, 43% e pjesëmarrësve që kanë tokë bujqësore raportojnë se situata e krijuar nga COVID-19 ka ndikuar në shitjen e produkteve të tyre bujqësore. Pandemia pritet të sjellë presione të mëtejshme në financat e familjes dhe pjesëmarrësit shprehin shqetësimin për këtë çështje.[2]
Në këtë kuadër, krijimi i mundësive të barabarta nënkupton se përveç nevojës për të ndërhyrë në një në shkallë të gjerë kombëtare me qëllim krijimin e vendeve të punës (me fokus të veçantë tek gratë, komunitetet e varfra, personat me aftësi të kufizuar, komunitetet që jetojnë në zona e thella etj.) për të thithur me shpejtësi numrin në rritje të njerëzve të papunë, ekziston po ashtu nevoja që ekonomia lokale rimëkëmbet, në veçanti prodhimi i vogël bujqësor. Do të ketë gjithashtu nevojë për të rritur investimet kapitale në shërbimet financiare të nivelit mikro (mikrokredi), të synuara për pjesë të caktuar kryesore brenda zinxhirëve të vlerës së bujqësisë.
Zhvillimi i qëndrueshëm dhe ndërtimi i një bote më të mirë kërkon investim në njohuri, burime njerëzore, kapital financiar etj. Në një realitet të ri ku po jetojmë për shkak të pandemisë së shkaktuar nga Covid-19, drejtësia sociale mund të ketë për shembull elementë të shtuar të lidhur me mënyrën digjitale të të jetuarit dhe punuarit gjatë kësaj kohe. Por, jemi të vetëdijshëm se sa më sipër nuk është aspak shteruese, dhe jemi po ashtu të vetëdijshëm se nuk ka një përkufizim të saktë, të vetëm dhe të gjithëpranuar lidhur me drejtësinë sociale. Më së fundi, është e rëndësishme të themi se sa më sipër janë parimet që World Vision Albania i ka themel të punës së saj në Shqipëri, me qëllimin fundor: arritjen e mirëqenies së fëmijëve në vendin tonë.
Diana Kanaj
Këshilltar Teknik për Programin e Mbrojtjes së Fëmijëve në World Vision Albania
Ne punojmë në mbi
220
komunitete
10
zona të Shqipërisë
25
Bashki
50,000
fëmijë janë pjesë e programit të Letërkëmbimit.
Ne punojmë në
4
Komuna
14
Komunitete