Në Shqipëri: 1 në 10 fëmijë me aftësi të kufizuar

U prezantua sot studimi i parë kombëtar i prevalencës së fëmijëve me aftësi të kufizuara në Shqipëri.

Studimi tregoi se 1 në 10 fëmijë në Shqipëri, ose rreth 10%, ka të paktën një vështirësi të një shkalle të thelluar në funksionim dhe zhvillim. Ndërsa numri i fëmijëve i identifikuar nga komisionet shtetërore si fëmijë me aftësi të kufizuar është vetëm 4%.

Studimi u bazua në instrumentat matës të Organizatës Botërore të Shëndetit, dhe ka përfshirë fushat biopsikosociale të zhvillimit të fëmijës.

Nga totali i 13,000 familjeve, të përfshira në këtë studim, 55% e prindërve raportuan se fëmija e tyre ka të paktën një vështirësi, në të paktën një nga fushat e zhvillimit. Më konkretisht, prindërit janë pyetur nëse fëmijët e tyre kanë vështirësi në: shikim, dëgjim, në të ecur, folur, në kujtesë, kujdesin ndaj vetes, komunikim, në të nxënë, kontrollin e sjelljes, pranimin e ndryshimeve, ndërtimin e marrëdhënieve, përqëndrimi, të luajturit dhe shoqërizimi në grup.

Ky studim, u mbështet nga World Vision dhe Save the Children in Albania dhe u krye nga kompania kërkimore GFK.