“Unë e kam fituar luftën time”

1_121 (1)

“Isha 3 vjeçe kur u rrëzova nga shkallët dhe isha 4 vjeçe kur fillova të kuptoj që diçka nuk shkonte me fytyrën time. E kuptova nga shkimet e të tjerëve. Bashkëmoshatarët e mi më thonin: Po ti pse je kështu?. Unë e shihja veten në pasqyrë, shihja që fytyra ime nuk ishte perfekte, por nuk e kuptoja se si duhet të isha. Më pas pyesja mamin dhe babin: Po unë pse jam kështu? Ti je shumë e bukur më thonin ata. Nuk e mbaj mend nëse u besoja…

Kur u rrita u bë edhe më e vështirë. Tani, flokët i mbaj gjithmonë lëshuar, dhe i hedh në njërën anë të fytyrës. Është normale. Nuk dua që të duket. Nuk dua që të tjerët të shohin atë që unë s’dua. Kur flas me njerëzit mundohem të rri në profil. Edhe në foto dal në profil. Babi më pyet gjithmonë: Matilda pse? Pse i kape flokët? Pse e kthen kokën? Por mua më është bërë ves ta mbuloj fytyrën. Njerëzit, mënyra si më shohin e më tregojnë me gisht nuk më lë ta harroj. Një ditë isha në autobus. Dy djem shikonin nga unë dhe flisnin me njëri-tjetrin. Më pas njëri tregoi me gisht. Ktheva kokën. Nuk kisha askënd pranë. Edhe këtë herë mua po më shihnin. I injorova ato shikime, për të disatën herë.

Ndonjëherë më duket sikur shikimet e tyre më thonë: Po kush rri me këtë? Më lëndojnë, nuk e mohoj. Por, unë nuk kam lejuar që ato të më vënë për fund. Nuk kam ndenjur kurrë vetëm nga frika se nuk më pranojnë. Unë e kam fituar luftën time. E kam gjetur forcën tek familja. Çdo mëngjes babi vjen dhe më puth në faqe. “Kjo është faqja më e bukur në botë”- më thotë. Ai është heroi im. Ai më jep forcë. Unë e vë re që ndonjëherë atij i mbushen sytë me lot kur më sheh, por e kthen kokën që unë mos ta shoh. Ashtu bëj edhe unë.

Edhe mikeshat e mija të ngushta më mbështesin pa kushte. Me Megin dhe Erindën jemi të pandashme. I tregojmë çdo gjë njëra-tjetrës. Me ato jam vetvetja. Miqësia jonë u bë edhe më e fortë pasi u regjistrova në grupin e Mbrojtes së Fëmijëve të World Vision. Shikoja Megin që shkonte në takime dhe e pyeta. Ajo më tregoi. Më pas edhe unë u bëra pjesë. Nuk e kisha  menduar kurrë që mund të bëhesha pjesë e një grupi dhe të luftoja për ato probleme që më kanë përndjekur gjithë jetën time. Dua të luftoj kundër diskriminimit dhe paragjykimeve! Dua që të gjithë të jenë të lumtur!

Kur shoh një njeri që ka një problem sado të vogël, unë nuk e mëshiroj. Mëshira është e shëmtuar. Unë e kam përjetuar vetë. Por, nuk kam lejuar të më shkatërrojë. E di cfarë kam bërë? I kam folur vetes: Ec përpara! Cdo gjë do të rregullohet! Një ditë edhe ti do të ecësh me kokën lart, do hedhësh flokët pas shpine dhe do të të duket sikur s’ka ndodhur asgjë.

Ëndrra ime shumë shpejt do të realizohet. Unë do të shkoj në Belgjikë dhe do të bëj operacionet plastike që kam nevojë. Janë 4 dhe kushtojnë shumë. Por jam gati. Dhe nuk kam frikë, sepse kam dashurinë dhe mbështetjen e njerëzve që dua më shumë, e njerëzve më të mirë në botë.”

 (Matilda me mikeshat e saj, Megi dhe Erinda).

 

15- vjeçarja nga Durrësi është një burim energjie për këdo që e ka pranë dhe frymëzim për të gjithë ata që sikurse ajo kanë hasur diskriminim gjatë gjithë jetës. “Matilda më jep forcë të kem besim tek vetja. Dikur ajo qante në supin tim, sot më flet për ëndrrat e saj”, – tregon Erinda, mikesha e saj që në klasën e parë.

Matilda ka ëndrra dhe shumë besim. Është e vendosur t’i bëjë realitet pa e ulur kokën dhe pa u dorëzuar. Për nga mënyra si flet dhe i trajton të tjerët, 15-vjeçarja duket më e rritur.  Madje ka edhe një mesazh për të gjithë djemtë dhe vajzat : “Mos u dorëzoni! Jepini kurajo vetes sepse asgjë nuk është e pamundur”.