Që të mos paragjykohemi që në barkun e nënës 

You are here

  • 22-07-22 |

Që të mos paragjykohemi që në barkun e nënës 

Irgesa, Adela dhe Sivesa janë tre vajza të reja dibrane që me shembullin dhe nismat e tyre po përpiqen të bëhen pjesë ndryshimit që ato e përcaktojnë si shumë të nevojshëm në komunitetin ku jetojnë. Si shumë bashkëmoshatare të tjera, ato thonë se kanë ndjerë diferencimin që shoqëria jonë bën mes djemve e vajzave, por me nismat e tyre po përpiqen për t’i shëruar sa të munden disa plagë këtij mentaliteti.  

Shqetësimi i vajzave reflektohet edhe në një studim të World Vision Albania, ku u intervistuan 464 fëmijë të grupmoshës 11-17 vjeç dhe 464 gra (nëna) të grupmoshës 35-50 vjeç në 8 qytete t; vendit. Gjetjet e studimit “Gra të fuqizuara, fëmijë të fuqizuar” tregojnë se vetëm 9% e grave kanë akses në të drejtat qytetare, ndërsa 22% e tyre pranuan se përjetojnë një lloj dhune. Studimi gjeti gjithashtu se vetëm 56% e grave marrin pjesë në vendimet e familjes. 

Teksa flasin për sfidat dhe vështirësitë që hasin vajzat në bashkinë Dibër, 3 të rejat e guximshme të grupeve IMPACT dhe blogut të të rinjve REPORTERI, na tregojnë për “hendekun e thellë gjinor” në qytetin e tyre, por edhe për nismat që me bashkëmoshatarë të tjerë kanë ndërmarrë dhe po ndërmarrin për të ndryshuar këtë realitet.  

“Të jesh vajzë në Dibër do të thotë të jesh e ngarkuar me një çantë të rëndë plot me paragjykime, fjalë e thashetheme. Shumë vajza në komunitetin tonë janë ‘të detyruara’ të jenë të urta dhe të qëndrojnë gjithë ditën në shtëpi. Ato ‘nuk kanë të drejtë’ t’i kthejnë fjalën dikujt, duhet ta mbajnë gojën e mbyllur shumicën e rasteve,”- na tregon Irgesa, teksa thekson se ndryshimi i këtij mentaliteti nuk është i lehtë.  

Adela, shoqja e Irgesës, thotë se barazia gjinore është një e drejtë themelore e njeriut dhe është gjithashtu thelbësore për të pasur një botë paqësore dhe të begatë. Sipas saj, shumë vajzave dibrane iu mohohet kjo e drejtë.

“Në jetën e shumë prej vajzave dibrane gjithçka nis ndryshe. Në mëngjes, një vajzë duhet të zgjohet herët dhe të bëjë punët e shtëpisë, ndërsa një djalë jo. Vajza duhet të mendohet 2-3 herë çfarë të veshë që të jetë e përshtatshme për pritshmëritë e shoqërisë, ndërsa ka gjithmonë një orar të kufizuar lirie që s’duhet ta shkelë,” - na tregon Adela.  

Të njëjtin shqetësim ndan edhe Sivesa. Sipas saj, paragjykimi ndaj shumë vajzave dibrane nuk nis as në fëmijëri e as në një moshë më madhore, por nis që kur je “në barkun e nënës, akoma pa lindur.” Sivesa shprehet se shpesh, vajzat shihen si më pak të vlefshme se djemtë. 

“Paragjykohesh nga mënyra e të folurit dhe e të veshurit, madje dhe për personat me të cilët del. Akoma ka shumë familje që nëse presin lindjen e një vajze rrallë gëzohen, por nëse do të jetë djalë të gjithë e presin me padurim,”- thotë ajo.  

Irgesa, Adela, Sivesa, si dhe 94 vajzat e tjera të grupeve rinore IMPACT me të cilat World Vision Albania punon në shkollat e bashkisë Dibër, nuk pajtohen me realitetin. Ato kanë dalë mbi paragjykimet dhe mentalitetin dhe me shembullin e tyre janë kthyer në frymëzim për bashkëmoshatarët e tyre. Ato flasin hapur me prindërit, të afërmit, shokët e klasës dhe mësuesit për këto tema, si dhe janë përfshirë në disa nisma komunitare për të zbutur nivelin e lartë të paragjykimit dhe për të krijuar mundësi të barabarta mes djemve dhe vajzave. Disa prej nismave sensibilizuese të ndërmarra nga grupet rinore IMPACT në Dibër janë fokusuar tek barazia gjinore, tek të drejtat e fëmijëve, siguria në internet, lidershipi, komunikimi.   

Gjithashtu, ato na tregojnë se shumë prindër po informohen mbi aspektet e zhvillimit të fëmijëve dhe rëndësinë themelore që ka trajtimi i barabartë mes djemve e vajzave, ndërsa trajnime për ndërtimin e marrëdhënieve të shëndetshme në familje bëhen edhe në kuadër të programit Festojmë Familjen. Fushatat ndërgjegjësuese kanë nisur të japin efekt, por ka ende shumë punë për të bërë nga institucionet dhe vetë familjet.  

3 vajzat e talentuara thonë se për të luftuar pabarazitë gjinore duhen rrëzuar barrierat sociale. Adela, Sivesa dhe Irgesa kërkojnë që institucionet, organizatat dhe vetë shoqëria të bëjnë më shumë për të krijuar një ambient ku çdo vajzë dhe grua të ketë mundësi të shfaqë potencialin e saj të plotë; ku çdo vajzë dhe grua të dëgjohet, të pyetet, të trajtohet në mënyrë të barabartë dhe të përfshihet në vendimmarrjet në familje apo komunitet.  

Shpresoj që në të ardhmen zakonet dhe traditat e sotme të jenë aq ndryshe, sa kur tua tregojmë vajzave të së ardhmes çdo gjë tu duket si një përrallë e largët dhe ndoshta e pakuptimtë,- e mbyll rrëfimin Irgesa, me një thirrje që duhet të na bëjë të gjithëve të reflektojmë.  

Secili prej nesh ka një detyrë për të përmbushur dhe ky rol nis në familjet tona, si dhe në marrëdhëniet që ndërtojmë në shkollë, në punë dhe në shoqëri.  

World Vision Albania punon për fuqizimin e vajzave dhe grave duke i ndihmuar të planifikojnë dhe të angazhohen në projekte që synojnë të sjellin ndryshim social. Ne besojmë se gratë dhe vajzat e shëndetshme, të arsimuara dhe të fuqizuara janë pjesë e rëndësishme në këtë proces ndryshimi.  

 

Tungjatjeta.al

 
Donaldi
Shqipëri
Elvani
Librazhd
Gabriela
Shqipëri
Arjani
Shqipëri
Ardiani
Shqipëri
Irena
Shqipëri
Alesia
Shqipëri
Juliani
Librazhd
Sara
Shqipëri
Emiljano
Shqipëri
Soni
Shqipëri
Jasmina
Shqipëri
Altin
Shqipëri
Selma
Shqipëri
Emanueli
Shqipëri
Klajdi
Shqipëri
Leonora
Shqipëri
Ana
Shqipëri
Fjorida
Librazhd
Oligerta
Shqipëri
Arta
Shqipëri
Bruna
Shqipëri
Marigleni
Shqipëri

Twitter Feed

 

Facebook Feed

 

Na Kontaktoni

Shqipëri
  • Rruga “Vëllezërit Manastirli”, Ndërtesa nr. 4,
    P.O.Box 1725, Tirana, Albania
  • Tel: +355 4 2419601
  • Email: tirana@wvi.org

empty

Na Ndiqni