Rikthim në gjenezë…

Photo Sameti

Rrallëherë herë ndodh në Shqipëri që pasi një i ri ka mbaruar shkollën e lartë apo ka pasur një eksperiencë pune në kryeqytet të kthehet për të vazhduar jetën në vendlindje. Shumë prej nesh mund ta kenë menduar, por pakkush ka marrë guximin për të hedhur hapin e ta bëjë realitet. Krejt rastësisht, në një bisedë miqësore mësova se një prej kolegëve të World Vision ishte një ndër ata që jo vetëm është rikthyer, por edhe e shijon çdo ditë e më shumë punën mes dibranëve të tij. Samet Zagradi, djaloshi 28 vjeçar i apasionuar pas gazetarisë, por me një diplomë në psikologji e sociologji para 5 vitesh mori vendimin të rikthehej aty ku e kishte nisur.

Vijmë nga larg, midis vështirësive të panumërta e përpiqemi të ecim njëkohësisht me pjesën tjetër të shoqërisë.  Përpiqemi me sforco të shumta të tregojmë vlerat, virtytet, bujarinë që vetëm një zonë e bekuar dhe e pa kursyeshme si Dibra jep. Gjykohemi, por ecim kryelartë me krenari dhe dijnitet prej malësori. Jetojmë mes sakrificash, varfërisë, por të bindur për një qëllim të qartë e një të ardhme më të mirë sepse besojmë tek puna,”- nis të tregojë ai. 

I etiketuar si “malok” nga dikush që priste bashkë me të ndërkohë që do të bënte intervistën e parë të punës në një redaksi gazete, Sameti thotë se u përpoq që mos t’ia lejonte vetes që ky paragjykim ta ndikonte pak momente para takimit. Në atë çast filloi të përsëriste me veten se ishte i barabartë me konkurentët e tjerë dhe pa asnjë arsye për t’u turpëruar dhe aq më pak për t’u bullizuar. Mesa duket ky mekanizëm i tij i brendshëm kishte funksionuar sepse arriti ta fitonte atë vend pune. Megjithatë ndërsa ngjarjet i lenë vendin njëra tjetrës, ai nuk le pa përmendur se vetëkontrollin dhe aftësitë për të tejkaluar paragjykimet dhe situatat e tilla ishin fryt i pjesëmarrjes në aktivitetet dhe nismat e WorldVision. 

Shkolla ime 9-vjeçare, ndryshe nga shkollat e mëdha ishte një shkollë e largët dhe e vogël ku aktivitetet pothuajse mungonin. Kam qenë një fëmijë i mbyllur në vetvete dhe pavarësisht se kisha informacione, nguroja të flisja në grupe të mëdha. Aktivitetet e para me organizatën më dhanë mundësi të njihja njerëz të rinj, gjë e cila më nxiti të filloja të integrohesha me bashkëmoshatarët. Në atë kohë po përfundoja klasën e 9-të,”- thotë ai.

Në prag të adoleshencës, me shumë energji, me plot ëndrra, por me pak mundësi për të qenë aktiv, Sameti dhe rreth qindra të rinj e të reja thyen disa tabu për zonat ku jetonin dhe vendosën të bëheshin vullnetarë.

Vajzat dhe djemtë dibranë me fuqi dhe potencial të madh nuk kishin hapësira për të treguar veten. Projektet dhe nismat e organizatës përthithën një numër të konsiderueshëm të rinjsh që zhvillonin potencialin e tyre. Kam qenë 18-vjeç dhe të rinjtë shpeshherë e çonin kohën dëm. Dikush që më njihte më sugjeroi që të shkoja tek kampet verore, ku përfshiheshin rreth 3000 fëmijë nga e gjithë Dibra. Kjo kërkonte një përkushtim të jashtëzakonshëm. Ky qe takimi im i dytë me organizatën. E kësaj here, si më i rritur, më ra në sy më së shumti sjellja e stafit. Një model ndryshe komunikimi nga ato ç’ka shihnim çdo ditë në ato anë,” – vijon të tregojë më tej ai. 

Sa më shumë më tregon, aq më shumë kuriozitet kam për të mësuar më shumë rreth historisë së tij që pas çdo fjale, bëhet edhe më frymëzuese.

Pasioni për të shkruar dhe për të qenë aktiv në jetën shoqërore sa vinte e shtohej. Pas largimit nga Dibra në vitin 2016 kuptova që organizata më kishte dhënë shumë për 4 vite që isha pjesë e saj. Trajnimet, rrjeti që kisha krijuar, eskperienca në menaxhim dhe komunikim me njerëzit me vlejti shumë sapo shkela për herë të parë Tiranën. Unë vija nga Dibra, nga një zonë e varfër, me mentalitet të ashpër, por edhe me bukuri të rralla natyrore. Unë studiova për “Psikologji” një degë që më pëlqente shumë dhe më ndihmon edhe sot të ndjek pasionet e mia. Në atë kohë, organizoja një aktivitet të quajtur “Libri” në Qytetin Studenti dhe vazhdimisht rizbuloja se angazhimi në WorldVision më kishte formuar si individ,”- shprehet Sameti.

Pas disa eksperiencave në gazetë dhe në vrullin e aplikimeve, ai vendosi të aplikojë edhe në pozicionin e hapur në zyrën vendore të World Vision në Dibër. Kishte dëshirë të kontribuonte në zonën e tij, për fëmijët dhe komunitetin që siç shprehet ai kishte dhe vazhdon të ketë plagë të mëdha si brenda familjes ashtu edhe në shoqëri. Në Dibrën e largët jetonin edhe prindërit e tij e donte të ishte pranë tyre. Megjithatë, ishte një vendim i vështirë për të sepse në Tiranë po bënte një punë që e kishte ëndërruar gjithmonë. 

I gjithë rrethi im shtangu që u ktheva në Dibër pasi të rinjtë kur ikin vështirë se kthehen. Në Prill 2022, unë praktikisht bëj 5 vite si staf i një organizatë të jashtëzakonshme ku me të vërtetë jam formuar si individ. Tashmë eksperienca e punës me fëmijët, të rinjtë, komunitetin dhe partnerët më kanë bërë të ndiehem i sigurtë, si dhe të jem më produktiv. Kështu krijova edhe portalin e parë mediatik në Dibër ku sot vullnetarisht kontribuojnë 5 studentë gazetarie nga zona jonë. Portali ishte produkt i pasionit dhe formimit tim që bazat i ka tek familja dhe World Vision,” – përfundon së treguari koordinatori i terrenit në projektin e Sponsorshipit në Dibër që nxiton të mbarojë bisedën me mua për të kapur orarin e takimit me grupin e të rinjve IMPACT.