“Ditët më të bukura të verës”

Mariza

Për Marizën muaji qershor është ndër periudhat më të bukura të vitit. Është koha kur 11- vjeçarja nga Shkodra pret me padurim që të bëhet pjesë e kampit veror, kur numëron ditët në kalendar për të riparë miqtë e saj në kamp, për të shijuar ajrin e pastër dhe lojrat në natyrë. Për të tretin vit radhazi ajo është pjesë e kampeve verore që World Vison organizon për fëmijët më në nevojë.

“Kur afrojnë ditët që do të vij në kamp, mezi pres… Nuk më zë gjumi.. Jam shumë e gëzuar! Sa shumë gjëra mësoj aty!”- tregon ajo.

Këtë vit ajo ishte pjesë e kampit veror në Hot në bashkëpunim me Kishën Katolike në Shkodër. Familja e saj e ka të pamundur të shkojë me pushime dhe për Marizën kampe janë e vetmja mundësi për të krijuar kujtime nga ato plot argëtim, me të qeshura që “kapin kupën e qiellit” dhe shumë mësime të vlefshme, që ndoshta do t’i ndajë me shokët dhe shoqet e klasës në ditën e parë të shkollës.

“Deri tani kampet verore kanë qenë të vetmet ditët kur jam ndjerë e gëzuar dhe e lumtur”-  rrëfen me sinqeritet vogëlushja.

Gjatë kohës që jam në kamp më pëlqejnë shumë aktivitetet ku përfshihet  leximi, por dhe ato ku ka kërcime dhe lojra. Kam mësuar që të jem miqësore me fëmijët e tjerë, të vlerësoj dhe të dua më shumë familjen dhe bashkëmoshtarët. Gjithashtu kam mësuar për mbrotjen e fëmijëve, se si të tregoj rastet kur fëmijët keqtrajtohen”- na thotë Mariza.

Gjatë kampit janë lojrat elementi ku shumë prej fëmijëve arrijnë të mësojnë në mënyrë të natyrshme dhe me lehtësi shumë prej të drejtave të tyre, të mësojnë diskutojnë në lidhje me tema si, dhuna, bullizmi dhe diskuriminimi, të mësojnë vlera si miqësia, bashkëpunimi dhe dashuria në Zot.

“Kam mësuar që duke ndjekur rrugën e Zotit jemi të fortë në jetë. Mua më pëlqen të ndihmoj shokët dhe shoqet e mia duke qenë afër tyre dhe duke u dhënë dashuri”- pranon 11-vjeçarja.

Vit pas viti ajo ka e ka parë veten të ndryshojë, të rritet nëpërmjet eksperiencës në kamp dhe të shohë se sa pozitivisht ndikojnë ato jo vetëm në jetën e saj, por dhe të bashkëmoshatarëve.

Këtë vit 5090 fëmijë nga 18 bashki në gjithë Shqipërinë janë pjesë e kampeve verore dhe për shumë prej tyre, ato janë e vetmja mundësi për argëtim gjatë verës. Prej 16 vitesh World Vision organizon kampe verore për fëmijët më në nevojë, ku nëpërmjet metodave argëtuese ata edukohen dhe marrin njohuri mbi të drejtat e tyre.