Për një familje që rrezaton dashuri

worldvision-img-3

Më parë nuk kaloja shumë kohë me bashkëshorten dhe fëmijët. Të gjitha vendimet i merrja vetë,”- thotë Bledari nga Librazhdi, teksa na tregon për rrugëtimin e familjes së tij dhe ndryshimin e madh që ka ndodhur tek ai gjatë tre viteve të fundit.

Bledari, Antoneta dhe 3 fëmijët e tyre Klevisa, Klejdi dhe Amari jetojnë në një fshat të vogël, ku mundësitë janë të pakta. 40-vjeçari punon si ushtarak, ndërsa Antoneta shpjegon se nuk ka mundur asnjëherë të gjejë një vend pune. Familja ka pak tokë dhe 38-vjeçarja përgjatë viteve kryesisht është marrë me bujqësi dhe blegtori. Aktualisht, shumicën e kohës e kalon duke u kujdesur për Amarin, vetëm 6 muajsh.

Ne biseduam nga afër me ta. Ishte mesditë kur trokitëm në derën e tyre. Në oborr na priti Bledari, i cili me këmbëngulje kërkoi që të futeshim brenda në shtëpi. Sa shumë dashuri dhe ngrohtësi që kishte në atë dhomë. Antoneta nuk rri duarkryq. Teksa bisedon me ne, nxiton të na ofrojë kafe, ujë dhe disa ëmbëlsira. Jashtë është shumë ftohtë, por ne nuk e ndjejmë aspak. Soba me dru dhe pritja e ngrohtë e tyre, ta ngrohin zemrën.

Antoneta dhe Bledari kanë 17 vite martesë. Përgjatë viteve kanë kaluar shumë vështirësi, por sot e shprehin hapur dashurinë dhe përkujdesin për njëri-tjetrin. Shpesh, zonja e shtëpisë nuk ndjehej e përfshirë dhe e dëgjuar në vendimet që merrte Bledari. Roli i saj shihej si dytësor, pasi edhe mentaliteti i zonës ku jetojnë njeh si autoritet vendimtar burrin e shtëpisë.

“Trajnimet na kanë ndihmuar shumë. Tani më duket sikur ndjej edhe dashuri më të madhe për familjen. Kam fituar liri në komunikimin në çift. Kaloj më shumë kohë me Antonetën, por edhe me fëmijët. Bashkëbisedoj me të për tema të ndryshme. Synimi jonë është lumturia e gjithë familjes. Tani edhe vendimet i marrim bashkë,”- thotë Bledari, i cili bashkë me Antonetën për herë të parë u bashkua me World Vision Albania në 2019-ën. Ata u bënë pjesë e një trajnimi 3-ditor në programin “Festojmë Familjen”.

Përmes këtyre trajnimeve anëtarët e familjes mbështeten të ndërtojnë marrëdhënie pozitive mes tyre. Ky ishte hapi i parë ku Antoneta dhe Bledari u përfshinë në një proces reflektimi dhe komunikimi më të hapur me njëri tjetrin.

“Në gjithë këto takime kemi marrë njohuri të reja. Jemi takuar me çifte të tjera, familje të reja. Kemi dalë mbi paragjykimet dhe mentalitetin e zonës. E dua Antonetën. Çdo javë blej çokollata për të, fëmijët dhe mamanë,”- thotë Bledari, me një butësi dhe ëmbëlsi të pazakontë për një ushtarak.

Antoneta është e dashur, e kujdesshme, e vëmendshme dhe mikpritëse. Për të, Bledari dhe tre fëmijët janë “drita e syve”.

“Në fillim nuk flisja shumë me Bledarin dhe fëmijët,”- rrëfën 38-vjeçarja. Ajo tregon se marrëdhënia në çift ishte e mbyllur, ndërsa mendimi i fëmijëve nuk merrej parasysh.

“Muaj pas muaji kemi forcuar marrëdhëniet brenda familjes tonë. Si në çift, si me fëmijët. Familja është gjëja kryesore. Tani jemi pozitiv me fëmijët, i mbajmë më afër dhe bisedojmë me ta. Me bashkëshortin jam më e çiltër. Flasim për gjithçka. E respektojmë njëri-tjetrin dhe këto vlera duam t’ua kalojmë fëmijëve tanë,” – thotë Antoneta.

Edhe pse në fillim ishin dyshues, Bledari dhe Antoneta thonë se përfshirja në programet e “Prindërimit pozitiv”, “Festojmë familjen” dhe “Sfida e familjes, qendro në shtëpi”, i ka ndihmuar ata të forcojnë marrëdhënien në çift, si dhe të mësojnë se si të jenë më të kujdesshëm me fëmijët e tyre.

Sot ata kalojnë më shumë kohë së bashku, bashkëbisedojnë për tema të ndryshme dhe e falin njëri-tjetrin.

“Duajeni, vlerësojeni dhe pyeteni njëri-tjetrin. Kaloni më shumë kohë bashkë. Flisni për çdo gjë dhe përfshijini edhe fëmijët,”– e mbyllin rrëfimin ata, me një mesazh inkurajues për të gjithë çiftet dhe familjet.

Ashtu siç thotë edhe një shprehje e famshme e Nënë Terezës: Nëse do të ndryshosh botën, shko në shtëpi dhe duaj familjen tënde!

Gjithçka nis nga dashuria për familjen dhe njëri-tjetrin.