Të gjesh drejtimin!

flori 1

Ai është vetëm 16 vjeç, por duket se a ka shumë të qartë të ardhmen e tij. Ai dëshiron të jetë një programues i zoti profesion, i cili në tregun e punës në Shqipëri, po gjen gjithnjë e më shumë hapësira. Flori është nga Mamurrasi dhe aktulisht studion në Shkollën Profesionale në Kamëz për informatikë.

 “Gjithmonë më ka pëlqyer të programoj kompjutera dhe pajisje të ndryshme. Disa nga të afërmit e mi janë programues, duke parë dhe i ndjekur me kureshtje, kam kuptuar dhe që unë e kanë pasion këtë punë”,- tregon Flori për pasionin e tij, të cilin po mundohet ta shndërrojë profesion në të ardhmen.

Nga 21-26 gusht 2019 ai është bërë pjesë e shkollës verore “Busulla Ime”, e organizuar nga World Vision në bashkëpunim me organizatën Liburnetik, ku në qendër ishte zhvillimi profesional i të rinjve. Përgjatë një jave, programi i kësaj shkolle verore ka qenë i fokusuar në fuqizimin sa personal, ashtu dhe profesional të pjesëmarrësve.

 “Kam patur shumë problem të flas para të tjerëve dhe për këtë i shmangesha diskutimeve që mund të bëheshin. Gjatë sesioneve që bëmë gjatë shkollës verore, kam fituar shumë aftësi. Tashmë që kam dhe më shumë informacion dhe kam mësuar si të rendis mendimet e mia, e kam më të thjeshtë të flas lirshëm në publik.”– tregon Flori, duke vendosur theksin tek një nga ditët kur është zhvilluar një diskutim i hapur mbi zhvillimin personal dhe tiparet e tij.

Nga gjëra të vogla dhe të thjeshta ndonjëherë mund të mësojmë mësime të mëdha. Kështu ka ndodhur dhe me 16 vjeçarin, që gjatë kësaj jave ka mësuar vlerën e të zhvilluarit bashkë të komunitetit.

“Gjithashtu dua të përmend dhe eksperiencën që patëm në kuzhinë, sepse na dha mundësinë që të mësojmë përmes angazhimit të secilit prej nesh. Ky program na mësoi gjithashtu se në një komunitet secili ka rolin e tij, e se të gjithë së bashku mund ta zhvillojmë dhe ndihmojmë njëri-tjetrin”, – rrëfen djaloshi.

Por krahas një ndikimi shumë të madh që kjo shkollë ka patur në karakterin e Florit, ajo i ka shërbyer shumë dhe për t’i hapur prespektikva të reja në të ardhmen.

 “Ajo që unë vlerësoj shumë nga kjo javë, nuk ka qenë vetem marrja e informacionit dhe siguria në aspektin personal, por dhe përgatitja për tregun e punës. Tashmë kam mësuar se cfarë është një plan biznesi”,- pranon 16-vjeçari.

Po nuk është gjithçka, në këtë shkollë verore Flori ka mësuar diçka që vlen shumë në jetë, ai ka mësuar se suksesi, në profesion dhe në jetë, varet nga dobia e shërbimit tënd në komunitetit ku jeton dhe punon.

 “Eshtë një eksperiencë e cila më ka bërë që të shoh profesionin tim jo vetëm si një punë, por se si mund ta vendos në shërbim të gjithë komunitetit”,- thotë ai duke shtuar se do të dëshironte shumë që të gjithë moshatarët e tij të provonin qoftë dhe një herë një eksperiencë të tillë.

 “Do të doja t’ju thoja se është një eksperiencë që ia vlen të kalohet të paktën një herë në jetë. Do t’i këshilloja që të edukonin veten pasi është i vetmi element i cili nxit zhvillimin personal, e për rrjedhojë përfiton i gjithë komuniteti. Edukimi dhe rritja personale është e vetmja kartë, e cila na mundëson që të jemi qytetarë të denjë të komunitetit se ku bëjmë pjesë”, – pranon Flori.

Gjatë shkollës verore “Busulla ime” e organizuar nga World Vision në bashkëpunim me organizaten Liburnetik rreth 60 të rinj pjesë e grupeve Impact nga shkollat profesionale të vendit marrin informacion në lidhje me zhvillimin personal, rolin e vetëpunësimit dhe zhvillimit të ideve, Startup-et, mundësi zhvillimi dhe bashkëpunimi, orjentim karriere, identifikimi dhe zhvillimi i një ideje, roli i marketingut, etj.