Rrugëtimi im…

Errisi

 “Përpara se të bëhesha pjesë e grupeve SKYE nuk kisha guxim që të shprehja një mendim kritik, veçanërisht përpara të tjerëve. Nuk kisha besim tek aftësitë e mia, por gjithashtu kisha dhe shumë steriotipe në kokë. Sot kam ndryshuar shumë, tashmë unë mund të argumentoj idetë e mia përpara të tjerëve.” – tregon Errisi, 17 vjeç nga Gjakova, i cili sapo ka përfunduar të gjithë kurrikulën e grupeve SKYE.

Si pjesë e 200 të rinjve që i janë bashkuar 10 grupeve SKYE në komuna të ndryshme të Kosovës, falë projektit të “Rritja e Integrimit Socio-Ekonomik e të Rinjve të Kosovës-SKYE” i implementuar nga World Vision dhe i financuar nga GIZ, Errisi ka arritur të përfundojë 4 shtyllat e këtij modeli.

Secili modul i shtjelluar padyshim ka pasur ndikim në personalitetin tim duke filluar nga qytetaria aktive, shtylla e parë e kurrikulës, e cila bëri që unë të zotëroj aftësi në të menduarit kritik, menaxhimin e fushave avokuese si dhe format e luftimit të sterotipeve. Nga kjo shtyllë, ne kemi dalë me dy ide shumë interesante, të cilat do shndërrohen në nisma komunitare. Falë shtyllës së dytë, asaj të leadership-it ndjej se kam fituar aftësi dhe njohuri në stilet dhe format e të qenit lider, apo menaxher i suksesshëm. Sipërmarrja sociale bëri që qasja ime ndaj planifikimeve dhe studimeve të tregut të ndryshojë plotësisht. Falë shtyllës punësmërisë unë kam një pasqyrë shumë të mirë të interesave, cilësive dhe pikave të mia të forta”.- vijon ai.

Jam i befasuar që brenda një kohe të shkurtër qasja ime në shoqëri ka ndryshuar kaq shumë. Tani e ndjej veten të pasuruar shpirtërisht dhe besoj se zhvillimi i personalitetit tim do të ketë ndikim jo vetëm tek unë, por edhe në komunitetin tim”- shprehet 17 vjeccari që aktualisht ndjek studimet në shkollën e mesme të mjekesisë “Hysni Zajmi”, në Gjakovë.

 “Mendoj që cilësitë e fituara do t’i shfrytëzoj në çdo hapësirë për të kryer punë vullnetare, asnjëherë nuk hezitoj të bashkangjitem. E di që secila punë vullnetare është një përvojë e veçantë që vështirë se mund të harrohet, apo përsëritet”- shprehet sot Errisi.  

Errisi është pjesë 100 të rinjve që janë antarë të 5 klubeve SKYE që sapo kanë përfunduar kurrikulën e plotë me 4 shtylla. Këta të rinj i bashkohen 5 grupeve të tjera që kanë nisur nismat komunitare, që do të pasohen me pas me sipërmarrjet sociale.

200 anëtarët e klubeve SKYE, në projektet komunitare kanë identifikuar nevojat reale të komunitetit ku ata jetojnë dhe me idetë e tyre ata po përpiqen që të kontribuojnë në fushat ku nevojat e komunitetit të tyre janë më të mëdha.

Promovimi i jetës së shëndetshme, gjelbërimi i hapësirave të qytetit, riparimi i hapësirave të dëmtuara, puna me fëmijë dhe grupe të margjinalizuara të shoqërisë, fushatat ndërgjegjësuese kundër bullizmit dhe paragjykimeve, promovimi i barazise gjinore, janë vetëm disa nga temat e dhjetë projekteve komunitare te cilat do të realizohen nga të rinjtë e projektit “Rritja e Integrimit Socio-Ekonomik e të Rinjve të Kosovës-SKYE” .