Të ndërtojmë një të ardhme Evropiane në shtëpi

Foto Drini

Duke ndarë informacion të vlefshëm mbi Bashkimin Evropian dhe si funksionon BE me bashkemoshatarët tanë, mund të jemi një hap më afër asaj që shteti shqiptar synon të arrijë për integrimin dhe të rinjtë mund të mësojnë si mund të “ndërtojmë një të ardhme Evropiane në shtëpi.” – na thote djali 17 vjeçar nga Vlora.

Drini është një nga të rinjtë e grupit IMPACT në Vlorë, të cilët kanë zgjedhur të ndërmarrin një nismë ku të ndajnë informacion dhe të ndërgjegjësojnë të rinjtë e komunitetit ku ata jetojnë mbi Bashkimin Evropian. Ata duan që njohuritë që grupi i tyre IMPACT ka mësuar gjatë trajnimit të marrë më parë në kuadër të këtij projekti t’i përcojnë edhe tek bashkëmoshatarët e tyre. Por ai na rrëfen gjithashtu se gjatë takimeve të përbashkëta kur grupi po diskutonte gjatë rreth iniciativës, ata kanë qenë të mendimit që të bëjnë një vizitë në këndin e Bashkimit Evropian në Bashkinë Vlorë, ku të njihen me shërbimet që ofrohen aty dhe më pas ato gjera që do të mësojne t’i ndajnë me të rinj të tjerë në shkolla të ndryshme, pasi një nga gjërat më të bukura për këtë grup të rinjsh është që ato çka ata mësojnë të mund t’i ndajnë me të tjerët.  

Për shkak të situatës së pandemisë bashkë me grupin ata do të organizojnë takime online për nismën e tyre. Ashtu si nismat nga 900 bashkëmoshatare të tyre të përshirë në projektin “Të rinjtë për një Shqipëri Evropiane” (Building the European Future at home – Youth engagement in the process) edhe grupi IMAPCT në Vlore, e ka ndryshuar rrjedhen e iniciativës nga takime me të rinjë në shkolla në takime online. Por situata e pandemisë nuk po e frenon gjallërinë e këtij grupi dhe qëllimin e tyre që sa më shumë të rinj në komunitetin ku ata jetojnë të njihen me Bashkimin Evropian dhe vlerat që ky organizëm promovon. Kjo është ajo që Drini dhe miqtë e tij synojnë në përfundim të nismës së tyre.

17 vjeçari është entuziast dhe optimist dhe ajo që dëshiron për bashkëmoshatarët  tij është që të përfshihen në aktivitete të ndryshme ku ai veçon se “Përveç kohës cilësore dhe shumë të bukur që kalohet, përfitohet një eksperiencë ndryshe nga ajo që merret nga bankat e shkollës.”

Aktivitetet dhe nismat ku gjithsecili prej nesh bëhet pjesë, bëhen me qëllimin për të lënë pas diçka më të mirë. Mjafton dëshira e mirë për të parë një ndryshim dhe kështu ju mund të jepni kontributin tuaj për komunitetin dhe për të ardhmen” – thekson Drini.

Aktualisht në 11 rajone po ndërmerren rreth 50 nisma nga vetë të rinjtë në komunitetet ku ata jetojnë për të përçuar informacion mbi Bashkimin Evropian, institucionet dhe vlerat thememore.

Drini nuk lë pa përmendur edhe vlerat e Bashkimit Evropian që grupi i tij i ka mësuar më herët gjatë pjesëmarrjes në trajmin falë këtij projekti.  “Përpara se të jemi aktivistë ne jemi njerëz dhe një ndër vlerat që duam të përçojme tek bashkëmoshatarët tanë është solidariteti dhe humanizmi“ – thekson ai.

Ai nga tegon edhe për fillesën kur ai dhe grupi IMPACT u bënë pjesë e projektit “Të  rinjtë  për një  Shqipëri Evropiane” (Building the European future at home – Youth engagement in the process). 17 vjeçari veçon emocionet dhe njohuritë e para që ka mësuar nga përfshirja në këtë projekt: “Në trajnimet e para që morëm mbi institucionet dhe  vlerat e Bashkimit Evropian apo si të debatojmë mësova si të flisja në një mënyrë që publiku të me kuptonte, si të qëndroja besnik argumentave të mia dhe si të debatoja në mënyrë demokratike. Gjithashtu, kam mësuar edhe si të përdor informacionin e shkruar apo vizual ne favorin tim.”

Pas eksperiecës që ka kalur gjatë trajnimit dhe të debateve, ai na thotë se dëshiron shumë që të marrë pjesë në debate konstruktive. Ai tregon se ka fituar një mënyrë të re të menduari, mprehtësi dhe të mos dorëzohet në momente të vështira. Por gjithashtu gjatë punës në grup ai tregon se fakti që është përzgjedhur si lider grupi i ka mësuar të mbaje përgjegjësi për grupin, të jetë optimist dhe të japë shpresë kur grupi ka vështirësi. ”Ashtu si në një punë në grup edhe në debat nuk ka “unë” por “ne” dhe keshtu mësova që fitorja nuk vjen vetëm nga një individ, as nga lideri, por nga i gjithë grupi. Isha me fat që ishim së bashku me grupin Impact që në fillim të këtij rrugëtimi dhe ishte një ndjesi e papërshkrueshme të isha lider i grupit fitimtar.” – rrëfen Drini rreth momenteve të debatit final në Tiranë ku grupi i tij u shpall fitues.

Fryma e bashkëpunimit në grup i shoqëron këta të rinj edhe gjatë organizimit të nismës që ata janë duke ndërmarrë. Eshtë thelbësore që grupi të ketë bashkëpunin në mënyrë që çdo ide dhe perspektivë të vendoset në funksion të punës së përbashkët për të arritur rezultate sa më të mira. “Bashkëpunimin e shoh si një pikë kyçe në realizimin e një pune të mirë. Ajo që më ka ndihmuar që të mund t’ia dalim mbanë tek iniciativa që po ndërmarrim është bashkëpunimi shumë i mirë që ne kemi si grup IMPACT;  ekziston një frymë e përbashkët mes nesh dhe kemi mësuar të funksionojmë si një, dhe për mua kjo është gjëja më e bukur që kam përjetuar.” – thotë Drini.

Drini është besimplotë se ka ardhur koha që të bejmë përpara dhe të jemi më pranë pjesës tjetër të Evropes.  “Kemi ende shumë punë për të bërë për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian. Përse të mos kemi shërbime sipas standarteve evropiane, apo arsim që ofron më tepër mundësi për studentët? Përse të mos jemi pjesë e Bashkimit Evropian? Mendoj se kështu do të ekzistojë mundësia për të rritur edhe nivelin e jetesës për të gjithë Shqiptarët dhe për t’u afruar me atë Evropian. Integrimi kërkon mund nga shteti ynë edhe nga ne si qytetarë, por hyrja në këtë “strehë të madhe”, do të na ofrojë strehën që kemi shumë kohë të cilën po e kërkojmë,“ – e mbyll rrëfimin e tij 17-vjecari.   

Ky projekt bashkëfinacohet nga Bashkimi Evropian në Shqipëri nëpërmjet programit IPA II, i cili menaxhohet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (CFCU Albania) dhe zbatohet nga World Vision Albania në partneritet me organizatat Changing the Future (CtF) dhe Albanian Center for Competitiveness and International Trade (ACIT).