Për komunitetin tim

DSC_1312 fgf

E shihte tek rrinte orë të gjata në oborrin e shkollës. Një ditë u fut brenda dhe pyeti rojen. Ai i tregoi se ai vinte aty që në 7 dhe priste derisa të fillonte mësimi. Klasa e tij ishte turni i dytë në shkollë. Ai fillonte mësimin në 13 e 30 dhe mbaronte pasdite vonë. E pyeti përse. Ai I tregoi që e ëma dhe motrat niseshin herët për në punë dhe e sillnin aty. I ati ishte larguar nga shtëpia.

Ajo u interesua, gjeti numrin e nënës së tij dhe u ofrua që ta mbante djalin në shtëpinë e saj deri sa të vinte ora e mësimit. Ajo pranoi me të gjithë habinë e botës. Që prej asaj dite ai shkon në shtëpinë e saj çdo ditë. Ajo i bën për të ngrënë pastaj e shoqëron deri në shkollë. Ndonjëherë i jep edhe bukën me vete.

Nuk është personazh libri apo filmi. Quhet Vitore dhe jeton në Bregun e Lumit.

Ia ka dedikuar jetën të tjerëve, sepse kështu jeton e lumtur dhe sepse nuk mund të bëjë ndryshe. 47- vjeçarja ka lindur në Mirditë dhe jetoi atje deri para 18 vitesh. E la vendlindjen për më shumë mundësi, për një punë që të përballonte jetesën. Kryeqyteti nuk qe siç e priste. Puna nuk gjendej lehtë. Pas disa kohësh u divorcua nga bashkëshorti dhe iu desh të përballej e vetme me jetën. Mori një shtëpi me qera në Bregun e Lumit dhe filloi të shiste rroba. U miqësua shpejt, me të gjithë. Mirësisë së saj nuk i reziston askush, edhe sot. Aty u njoh me bashkëshkortin e dytë dhe bashkë formuan familjen që ajo kishte ëndërruar. Para 11 vitesh erdhi në jetë vajza e parë e çiftit, fëmija i tretë i Vitores. Ajo u shkëput nga puna dhe kujdesej me kohë të plotë për fëmijët dhe bashkëshortin.

Por ata nuk qenë kurrë të vetmit. Ajo kujdeset për këdo që ka nevojë. Filloi ta bënte këtë kur filloi të shkonte në takimet e para të kishës, para 13 vitesh. Drejtuesja e pyeti nëse mund të shkonte në takimet e të djelës të kujdesej për grupin e fëmijëve. Ajo pranoi  menjëherë. Që prej asaj dite ajo shkon në kishë 4 herë në javë. I ushqen fëmijët, I ndihmon të bëjnë detyrat, u organizon lojra dhe i shoqëron në shkollë. “I pres këtu. Vetë vij që në 8. Fëmijët fillojnë vijnë nga ora 9. I mbledh, u bëj për të ngrënë, i ndihmoj të bëjnë detyrat, u organizoj lojra dhe pastaj i shoqëroj për në shkollë. Kthehem në shtëpi dhe kur mbarojnë mësim shkoj i marr dhe i shoqëroj për në shtëpi.”- tregon Vitorja. Të përkujdesurit e saj janë fëmijë që vijnë nga familje të varfra, me prindër analfabetë, me prindër të divorcuar, me baballarë të alkolizuar. Kur nuk është në kishë, është në shtëpi, sërish, duke u kujdesur për fëmijët në nevojë. Nurmin e saj të telefonit e kanë të gjithë, dhe sa herë kanë nevojë për ndihmë ajo është vetëm një telefonatë larg.

“Ka raste kur më marrin gratë e më thonë: Viktore nuk më përgjigjet djali. I lë të gjitha e shkoj kudo që të jetë, nga cepi në cep. Nuk përtoj fare. M’ka dhënë Zoti forcë boll.”- thotë Vitorja.

I shoqi dhe fëmijët krenohen me të dhe e mbështesin pa kushte. Që mos të më linte vetëm, im shoq më shoqëronte në takimet e para që bënim me World Vision. Mësonim se si të jemi prindër më të mirë. Im shoq nuk mungonte në asnjë takim. Filloi shkonte në takime me prindërit dhe tani është anëtar i bordit të prindërve në shkollë.”- tregon Viktorja. Ajo vetë nuk mungon kurrë në asnjë takim. Kam falenderu Zotin kur World Vision filloi të punonte në zonën tonë. Ne gjetëm një mik, nuk ishim më vetëm. Bashkë kemi larguar fëmijë nga rruga dhe i kemi kthyer në bangat e shkollës. Nuk ka gjë më të bukur!”- thotë ajo.

Vitorja kujton me lot në sy ditën kur një djalë e ndaloi në rrugë dhe ia prezantoi një vajze me fjalët: “Kjo zonjë më ka mësuar të shkruaj e të lexoj”. Ai ishte bërë baba, por dikur kishte qenë një nga fëmijët për të cilët ajo kujdesej në kishë.

Vitorja, gruaja që dhuron dashuri pa kushte ka vetëm një ëndërr për të gjithë fëmijët: “Dua që ata ta duan njëri-tjetrin dhe Zotin sepse vetëm kështu mund të bëhen dikushi në jetë”.

Ajo është modeli i gruas që nuk kursehet për të mirën e komunitetit ku jeton dhe një model frymëzimi për këdo që e njeh. Në shenjë mirënjohje për kontributin e saj vullnetar për mirëqenien e fëmijëve dhe të rinjve, World Vision i dha dje, gjatë Festivalit të Rinisë për Drejtësinë Sociale, çmimin Personazhi i Vitit. Kjo është dita më emocionuese e jetës sime!”- tha ajo.