Besa besë, fëmijën nuk do e le pa shkollë!

DSC_0518_0

Manjola nuk ka pasur mundësi ta dërgojë rregullisht djalin në shkollë. Herë herë është kushtëzuar nga pamundësia për ta veshur siç duhet, për t’i dhënë diçka me vete për ta ngrënë në shkollë e për t’i blerë mjetet e nevojshme shkollore.

Prej pak kohësh ka humbur bashkëshortin e tani jeton në shtëpinë e prindërve bashkë me dy djemtë e saj. “Hallet që kam unë mos i rafshin kujt, por nuk kam për t’i lënë fëmijët rrugëve. Unë vetë kam 5 klasë, por dua që fëmija të më dalë me shkollë, të bëhet i zgjuar e i zoti i vetes.” – rrëfen ajo.

Sipas mësueses djali kishte disa kohë që nuk shkonte në shkollë sepse kur e ëma punonte vogëlushi duhej të kujdesej për më të voglin. Shkolla bashkëpunoi me World Vision për të bindur nënën që ta ridërgojë djalin në shkollë. 

“Tani përpiqem që ta çoj rregullisht Gerardin në shkollë, por jam shumë shumë dobët me veshje. Zysha më thoshte djalin ma sill të pastër, por kur s’jam në gjendje…s’kam ç’të bëj. Më vinte zor t’i thoja mësueses se djali s’ka veshje. E merrja në telefon për t’i thënë është pak me temperaturë nuk e sjell dot. E bëja nga halli se nuk i thoja dot o zysh nuk kam rroba.” – tregon e ëma me gjysmëzëri dhe e skuqur nga sikleti.

I ka thënë djalit se pa shkollën do ta ketë shumë të vështirë të ecë në jetë.  “…sikur ta kisha vazhduar shkollën nuk do doja gjë tjetër në jetën time.”- tregon Manjola

Ajo thotë se fëmijën e saj nuk do ta lerë kurrë pa shkollë, madje zotohet për këtë: “E them me 100 % siguri. Fjala fjalë e besa besa, pa shkollë nuk e le!”