Vodafone Albania dhe World Vision, bashkë për rindërtimin e shkollave të dëmtuara nga tërmeti

vod v

Tre shkolla në Durrës, të cilat u dëmtuan gjatë tërmetit që goditi Shqipërinë më 21 shtator 2019, shumë shpejt do të rehabilitohen, falë bashkëpunimit të World Vision me Vodafone Albania.

Shkollat “Naim Babameto” në zonën e Spitallës, “Hasan Koçi” në Shkozet  dhe “Shkolla e Re” në Kënetë të Durrësit, përmes Fondacioni Vodafone Albania me një fond prej 50 mijë eurosh, do t’i nënshtrohen rikostruksionit duke mundësuar që mbi 2095 nxënës të studiojnë në ambiente të sigurta dhe të përshtatshme.

“Partneriteti mes institucioneve shtetërore, bizneseve dhe organizatave të shoqërisë civile është thelbësor për të përmirësuar jetën e fëmijëve dhe ofrimit të shërbimeve të nevojshme dhe cilësore për ta,”- u shpreh znj. Eljona Boçe Elmazi, drejtoresha e World Vision për Shqipërinë dhe Kosovën, gjatë vizitës në shkolla së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Vodafone Albania, z. Achilleas Kanaris.

Duke theksuar se në momente të tilla, nevoja për të ndërhyrë është shumë e rëndësishme z. Kanaris u shpreh se:E vërtetë që fatkeqësitë natyrore janë jashtë mundësive tona për t’i parandaluar, por ne mund të mundësojmë që pasojat që ato lënë pas, të korigjohen sa më shpejt dhe fëmijët të mos humbin asnjë ditë larg bankave të shkollës.”

Pas vizitave në terren, përfaqësuesit e Vodafone dhe World Vision u pritën në një takim edhe nga Kryetarja e Bashkisë Durrës, znj. Valbona Sako.

“Ne e vlerësojmë sinqerisht angazhimin e Vodafone dhe World Vision për të vepruar në një moment të vështirë për qytetin tonë. Tërmetet janë ndodhi natyrore që nuk i zgjedhim por ndodhin, dhe njerëzit që u prekën prej tërmetit të ditëve më parë, kanë nevoja, dhe së bashku mund t’i ndihmojmë” – tha  Znj. Sako, Kryetarja e Bashkisë Durrës.

Pas tërmetit të fuqishëm 5.8 ballë të shkallës Rihter që tronditi Shqipërinë më 21 shtator 2019, mbi 300 lëkundje me intensitet të ulët u regjistruan gjatë ditëve në vijim.

World Vision ndihmoi në lehtësimin e situatës në terren, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Bashkinë Durrës, Bashkinë Tiranë dhe Elbasan duke mbështetur kërkesat e ardhura nga terreni për paketa ushqimore dhe batanije.

Gjatë 20 viteve, mbi 3939 familje janë ndihmuar nga World Vision në mënyrë të drejtpërdrejtë në raste emergjencash.