Nis “Akademia e Ligjit 2”/ World Vision bën bashkë rreth 100 punonjës të shërbimeve shoqërore

70% e fëmijëve raportojnë se kanë përjetuar një formë dhune.

34% e fëmijëve nuk kanë besim të raportojnë tek institucionet.

Shifrat flasin për fëmijë të rrezikuar nga dhuna në shoqërinë shqiptare. Për t’i ardhur në ndihmë efektivitetit të punës së punonjësve që punojnë në sektorin e mbrojtjes sociale, ku përfshihet dhe mbrojtja e fëmijëve, World Vision ka nisur sot ciklin e dytë të trajnimit  “Akademia e ligjit për profesionistët që punojnë me fëmijët për përmirësimin e mekanizmave lokale të mbrojtjes së fëmijëve”.

“Shpresoj dhe besoj që ky trajnim do të më nevojitet shumë dhe shoh si të rëndësishme diskutimet mbi ofrimin e shërbimeve dhe mënyren se si ne mund të perfshihemi në këta elemente,”- u shpreh një nga punonjëset e mbrojtjes së fëmijëve nga Durrës, pjesëmarrëse në trajnim.

 “Në fillimet e punës të World Vision punonjësit e shërbimeve shoqërore e bashkive ku ne punonim, na shprehenin se nuk kishin asnjë rast fëmije apo të rrituri me probleme sociale apo në rrezik. Nuk kishte asnjë raportim nga komuniteti. Në fakt ajo çfarë ndodhte ishte mungesa e njohurive apo shërbimeve në territor. Nëpërmjet monitorimit që World Vision ju bën fëmijëve arrijmë të identifikojmë raste fëmijësh, të cilët i referojmë tek strukturat përgjegjese dhe më pas bëhemi pjesë e menaxhimit të këtyre rasteve. Nisma për këtë trajnim vjen pikërisht nga angazhimi që World Vision ka për të mbështetur strukturat lokale të mbrojtjes sociale për të rritur kapacitetin e tyre, për të zbatuar siç duhet planet e tyre sociale, ndjekjen dhe menaxhimin e rasteve të fëmijëve në rrezik dhe për të administruar fondin social,” – u shpreh në fjalën e saj Artina Morava, drejtoreshë programi në World Vision.

Në ditën e parë të trajnimit ku u diskutuan tema si: mbrojtja sociale, rolet dhe përgjegjësitë në sistemin e shërbimeve të kujdesit shoqëror, shporta e shërbimeve, Njësia e Vlerësimit të Nevojave, informimi, referimi dhe menaxhim i rastit, plani social dhe monitorimi, kostot e shërbimeve dhe Fondi Social, ishin të pranishëm punonjës nga bashkia Elbasan, Korçë dhe Durrës dhe njësitë e tyre administrative.  

Rreth 100 punonjës së mbrojtjes së fëmijëve në 13 Bashki do të trajnohen dhe mentorohen, në lidhje me aspekte të mbrojtes sociale, shërbimet shoqërore për kategoritë në nevojë të shoqërisë, si dhe financimit të këtyre shërbimeve për t’ju përgjigjur sa më mirë nevoja të identifikuara në planet sociale vendore të bashkive.

Gjithashtu në mbështetje të punës së këtyre strukturave World Vision, por dhe në kuadër të fushatës “Duhet një botë e tërë për t’i dhënë fund dhunës ndaj fëmijëve”, po investon në ngritjen dhe funksionimin e Hapësirave Zhvillimore për fëmijët me Aftësi të Kufizuara; Hapësirat Miqësore në Komisariate; Qendra të Shërbimit Emergjent për fëmijët në rrezik të lartë në Durrës dhe në Dibër; Qendra Multifunksionale në Shkodër; Qendra Rinore në Kurbin; Qyteza e Fëmijëve në Korçë.