Një motër dhe një vëlla…

Fotot_Drita dhe Durimi (4)

Një motër dhe një vëlla… ‘’Dua të flas për Durimin dhe Dritën. Ata janë për ne dhe gjithë shkollën, burim frymëzimi’’. – shprehet Arjana, mësuesja ndihmëse e shkollës “Ibrahim Basha”, në Bathore. Durimi është 11-vjeç dhe bashkë me Dritën, motën e tij 9-vjeçe, vijnë çdo ditë në shkollë dhe ulen me shokët dhe shoqet në klasën e 3-të. Durimi ka filluar shkollën me dy vite vonesë, për shkak të vështirësisë në ecje.

‘’Për herë të parë që e kam vënë re se tek Durimi ka diçka që nuk shkon, ishte në moshën 1 vjeçare. Ishte diçka e re për mua, diçka e panjohur, s’dija si të reagoja. Me vonë mësova dhe zhvillimin e kësaj sëmundjeje. Megjithatë Durimi më jepë forcë të vazhdoja dhe të mos derdhja më lot,’ – shprehet nëna e Durimit. Djaloshi është diagnostikuar me miopati metabolike. Kjo sëmundje muskulare shkaktohet nga një keqfunksionim enzimatik, që nuk i lejon qelizat të prodhojnë energji e si rrjedhojë Durimi filloi të ecte në moshën 5 vjeçare. Fillimisht prindërit hezituan ta dërgojnë në shkollë.

Megjithatë dëshirën dhe durimin për ta derguar në shkollë, edhe pse me vonë se fëmijët e tjerë, nuk e humbën asnjëherë.

Ai bën fizioterapi, por edhe pse ka dhimbje gjymtyrësh dhe të shtyllës kurrizore, kjo nuk e pengon të vijë në shkollë. Drita, motra e Durimit dhe njëkohësisht shoqja e tij më e mirë është edhe mbështetja më e madhe që ka. Ajo është çdo ditë pranë të vëllait, kujdeset për t’i lehtësur sado pak dhimbjen fizike duke i mbajtur çantën e shkollës që atij të mos i dhembë kurrizi. Por edhe Durimi është aty për Dritën, për ta ndihmuar atë me matematikën. ‘’Puna me këta fëmijë është një mision, një profesion i shërbimit ku ne e ushtrojmë me bindje e pasion jo vetëm për të transmetuar njohuritë tek nxënësit, por edhe për t’i mësuar si t’i zhvillojnë ato njohuri. Nxënësit me aftësi të kufizuara kanë nevojë të ndihmohen, të mbështeten, të aktivizohen dhe të jenë në shkollë si të gjithë fëmijët e tjerë. Që ditën e parë Durimi u miqësua me mua. Ai nuk u ndie i distancuar nga prania e një mësuese ndihmëse, por ishte me i sigurt për aftësite që ai kishte. Durimi është i dashur si me mësuesit ashtu edhe me bashkëmoshatarët e tij,’ – shprehet mësuese Arjana. Familja e Durimit është e përbërë nga 6 anëtarë: mami, babi, Durimi, Drita, vëllai 14-vjeç dhe motra më e madhe 18-vjeçe. Babai ka kaluar një periudhë të vështirë me shëndetin. Durimi duhet të vazhdojë të marrë terapi të specializuar, por të ardhurat janë të pakta dhe trajtimet të kushtueshme.

World Vision Albania e ka ndihmuar vazhdimisht Durimin dhe familjen e tij, si me terapi ashtu edhe me një tablet që të ndiqte mësimin online gjatë periudhës së pandemisë COVID-19. “Ky gjest që bëtë sot për ne, mësuesja ndihmëse që i qëndron pranë çdo dite dhe të gjithë që më ndihmoni, faleminderit nga zemra. Tabletin do mund ta përdorin të 4-ërt fëmijët, sigurisht me lejen e Durimit. Ai nuk mund të dalë shpesh jashtë të luajë si të gjithë dhe Drita qëndron me të që ai të mos mërzitet. Të paktën tani do kenë edhe tabletin që i gëzon pa masë,” – u shpreh nëna e Durimit. Tashmë shkolla “Ibrahim Basha” ku mëson Durimi, ka 3 mësuese ndihmëse. Ato ndjekin programet individuale PEI të hartura për çdo fëmijë me aftësi të kufizuara. Në vitin

2017, ky rol mungonte në shkollë. Përmes advokimit të World Vision dhe me bashkëpunimin e institucioneve në nivel vendor dhe qendror shumë fëmijë me aftësi të kufizuara sot frekuentojnë shkollën dhe kanë mësuese ndihmëse.