Në oborrin e një shtëpie të vogël një katëshe, në një fshat të Shkodrës, sheh një djalë që luan i lumtur në oborrin e shtëpisë me kecat e tij të vegjël. Ai quhet Leonard dhe është 13 vjeç. Gëzimi i tij më i madh janë kecat të cilët ai i ushqen dhe kullot me shumë dashuri.
“Mezi pres të vij nga shkolla që të luaj me kecat, ato janë shumë të mirë dhe rrinë kudo afër nënës së tyre. Sa gëzohem kur i nxjerr në mal,”- kështu na tregon i gëzuar Leonardi, djaloshi shkodran 13 vjeçar.
Familja e tij ka 5 anëtarë dhe jeton prej shumë vitesh në një fshat të Shkodrës. Leonardi ka një motër e një vëlla. I ati i tij vite më parë ka emigruar në Greqi, por atje ai nuk ka mundur të gjejë një punë të qëndrueshme. Për këtë arsye, ai vendosi të rikthehet në Shqipëri për t’u kujdesur për prindërit e vet dhe për të krijuar familjen e tij këtu. Shumë shpejt ai krijoi strehëzën e tij dhe 3 fëmijë i mbushën jetën. I vetmi problem i tij mbetej punësimi. Përpjekjet për të gjetur një punë të qëndrueshme rezultuan të pasuksesshme dhe deri para një viti ai punonte me ditë me ndërtim.
Shtëpinë ku jeton sot me familjen e ka ndërtuar i vëllai i tij, por që prej fillimit të pandemisë ata po përballen me shumë vështirësi ekonomike pasi ai ka mbetur papunë. Për momentin asnjë nga prindërit e Leonardit nuk janë në punë. Ata shpesh ndihmohen nga vëllezërit e babait që jetojnë e punojnë jashtë Shqipërisë dhe mbahen me bagëtitë që kanë.
Megjithatë shkolla për familjen e tyre ka qenë gjithmonë e rëndësishme. Leonardi së bashku me vëllain dhe motrën ndjekin shkollën në fshatin e tyre. Mamaja e Leonardit, Tonja na tregon se nuk punon për shkak të mentalitetit të bashkëshortit të saj, ndërkohë që na tregon se i shoqi e ka humbur punën prej pandemisë.
“Prej pandemisë burri mbeti pa punë. Izolimi për ne ishte shkatërrues, nuk kishim asnjë të ardhur, asnjë nuk mund të punonte, situata në shtëpi ishte e tensionuar prej vështirësive me të cilat po përballeshim. Humbëm shpresën se mund të gjenim një punë për burrin sërish dhe kishim shumë merak për shëndetin e familjarëve tanë”- tregon Tonja.
Para disa vitesh, familja e tyre u përball me një nga momentet më të vështira në jetën e tyre. Nipi i tyre 3 vjeçar humbi jetën duke luajtur në lumin afër zonës ku banojnë. Pranë tij ka qënë djali i vogël i Tonjas, i cili që prej asaj dite për shkak të tronditjes ka shfaqur probleme në të folur dhe është bërë hiperaktiv. World Vision Albania, prej 7 muajsh po e mbështet familjen duke ofruar shërbim psikologjik për djalin e tyre që ta ndihmojë të kapërcejë këtë situatë.
Gjithashtu në kuadër të mbështetjes dhe rimëkëmbjes socio-ekonomike të familjeve prej pandemisë COVID-19, World Vision ka mbështetur edhe këtë familje shkodrane.
“Familja jonë po kalon një periudhë të vështirë ekonomike të shkaktuar prej pandemisë. Dhia që na është dhuruar prej jush na ka ndihmuar në përmirësimin e ekonomisë familjare pasi nga ajo nxjerrim qumështin edhe nënproduktet e tij me të cilat ushqehemi çdo ditë,”- thotë Tonja, nëna e tre fëmijëve.
Familja ka mbajtur bagëti edhe më përpara. Ata kanë patur një lopë dhe disa pula. Për gjënë e gjallë kujdeset, Tonja dhe është shumë e kënaqur pasi sheh që në të ardhmen mund të ketë mundësi sigurimi të ardhurash nga nënproduktet saj, gjë e cila do të sjellë përmirësimin e situatës ekonomike në familje.
“Unë zgjohem herët, përcjell fëmijët për në shkollë dhe vrapoj për tek bagëtia, më pas kujdesem për punët e shtëpisë. Tani ne kemi dhinë dhe dy kecat dhe së shpejti mendoj se mund të shesim qumështin dhe të sigurojmë të ardhura në familje,”- e mbyll rrëfimin e saj shpresëplotë Tonja.
Në kuadër të situatës së krijuar prej pandemisë COVID-19 ku shumë familje kanë hasur vështirësi ekonomike, World Vision Albania ka mbështetur 447 familje me pako ushqimore dhe 42 familje me gjë të gjallë në bashkinë Shkodër për t’i ndihmuar në procesin e rimëkëmbjes së tyre ekonomike.
Ne punojmë në mbi
220
komunitete
10
zona të Shqipërisë
25
Bashki
50,000
fëmijë janë pjesë e programit të Letërkëmbimit.
Ne punojmë në
4
Komuna
14
Komunitete