Edjana, zëri i fëmijëve dhe të rinjve tek vendimmarrësit

Edjana nuk e besonte se një ditë do të ishte një zë kaq i fuqishëm në mbështetje të fëmijëve dhe të rinjve. Jetesa në një fshat në periferi të Durrësit, ku nuk ofrohen shumë mundësi për brezin e ri, kishte kultivuar tek ajo këtë lloj të menduari, pavarësisht rezultateve të larta në mësime. Por, siç thotë vetë ajo, gjithçka ndryshoi dy vite më parë pas përfshirjes me grupet rinore IMPACT.

“Kjo eksperiencë ka qenë jetëndryshuese. Mbaj mend se kam qenë shumë e ndrojtur dhe kisha frika të shprehesha. Sot jap mendimin tim lirshëm, ngre zërin për problematikat që na shqetësojnë në kumunitet dhe jap ide për zgjidhjen e tyre. Përmes IMPACT kam ndryshuar veten, por po përpiqem të ndryshoj edhe komunitetin,”- shprehet 17-vjeçarja.

Bashkë me bashkëmoshatarët e saj, e reja nga Durrësi ka ndërmarrë disa nisma komunitare me fokus barazinë gjinore, gjithëpërfshirjen, luftën kundër bullizmit, sigurinë në internet, mbrojtjen e mjedisit. Duke qenë se në kumunitetin e saj jo të gjithë banorët kanë akses në internet, së fundmi Edjana po angazhohet në ndërmarrjen e një tjetër nisme që synon të ofrojë shërbim online falas për qytetarët.

 “Një nismë që po mendojmë të ndërmarrim si grup IMPACT është që të krijojmë mundësi që salla e kompjuterave të shkollës të vihet në shërbim të komunitetit. Mund të përdoret për të marrë shërbime në e-albania, apo për aplikime ose informacione të ndryshme. Ka shumë qytetarë që nuk kanë akses në internet dhe që të marrin një vërtetim online, duhet të udhëtojnë drejt qytetit,”-shprehet Edjana, teksa thekson arsyet.

Prej tetorit të vitit të kaluar, Edjana është zëri i fëmijëve dhe të rinjve në organet më të larta të pushtetit vendor të bashkisë Durrës. Ajo është zgjedhur pjesë e Këshillit Vendor Rinor, një strukture e përbërë nga të rinj të angazhuar, kreativë dhe energjikë, që shërben si një organ këshillimor që funksionon pranë kryetarit të bashkisë. 

“Këshilli Rinor Vendor shërben si një platformë ku ne mund të ndikojmë tek vendimmarrësit lidhur me çështjet që na prekin ne të rinjve. Ne zhvillojmë takime me kryetarin e bashkisë, ku në këto takime paraqesim problematikat që shqetësojnë fëmijët dhe të rinjtë në komunitetet ku ne jetojmë. Të qenit pjesë e IMPACT, më ka ndihmuar që të artikuloj më mirë nevojat e fëmijëve dhe të rinjve pranë institucioneve që merren me hartimin e politikave ndaj fëmijëve dhe të rinjve,”- thotë 17-vjeçarja.

Këshilli Vendor Rinor, u ofron të rinjve mundësi të jenë iniciatorë dhe pjesëmarrës në proceset e hartimit të politikave për të rinjtë dhe të kenë një kontribut të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së tyre në mjedisin ku ata jetojnë.

Tashmë Edjana, jo vetëm që po ndërmerr nisma përmes grupeve IMPACT, por edhe ndikon në politikat lokale rinore të bashkisë Durrës,duke përcjellë zërin e saj tek vendimmarrësit.

“Dua që çdo fëmijë dhe i ri të ketë një zë. Dua që çdo problematikë që prek fëmijët dhe të rinjtë të gjejë zgjidhje. Dua që zëri ynë të dëgjohet, pavarësisht nëse jetojmë në zonat rurale apo qytet,”– e përmbyll mesazhin e saj 17-vjeçarja, të cilës i pëlqen leximi dhe që në të ardhmen synon të bëhet mjeke, për të ofruar shërbime cilësore për qytetarët, veçanarisht për fëmijët dhe të moshuarit.

Përmes modelit IMPACT, World Vision Albania punon me 200 të rinj në Durrës duke i ndihmuar të ndërtojnë aftësi, kompetenca dhe të fuqizohen për përfshirje aktive në jetën sociale dhe ekonomike në komunitetet ku jetojnë.Vetëm gjatë 4 viteve të fundit, World Vision Albania ka mbështetur 542 nisma komunitare të ndërmarra nga vetë të rinjtë.