Përgatitja e të rinjve nga Shqipëria dhe Mali i Zi për mundësi karriere në sektorin e turizmit

Njoftim per shtyp_Kick off CBC_23

Rrugët e zhvillimit të karrierës: Përgatitja e të rinjve nga Shqipëria dhe Mali i Zi për mundësi karriere në sektorin e turizmit Shkodër, 23 Shkurt 2021 – Projekti “Rrugët e zhvillimit të karrierës: Përgatitja e të rinjve nga Shqipëria dhe Mali i Zi për mundësi karriere në sektorin e turizmit”, i cili synon t’iu mësojë të rinjve nga Shqipëria dhe Ulqini aftësi të reja, t’i përgatisë për tregun e punës si dhe të ndikojë në rritjen ekonomike dhe uljen e problematikave sociale në komunitetet e tyre u lançua me 1 Dhjetor 2020.

Ky projekt financohet nga Bashkimi Evropian nëpërmjet programit IPA II, i cili menaxhohet nga Ministria e Financave dhe Mirëqënies Sociale (CFCU) e Malit të Zi dhe zbatohet nga World Vision Albania në partneritet me organizatën Horizonti i Ri, Institucioni Publik Shkolla e mesme e kombinuar “Vëllazërim Bashkim” në Ulqin dhe shkollën “Hamdi Bushati” në Shkodër.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës, të rinjtë e moshave 15-24 vjeç në Shqipëri, kanë një shkallë papunësie 29.9%, ndërsa në Mal të Zi kjo shkallë është 27.5%. Të rinjtë e ditëve të sotme përballen me problematika të shumta, mes të cilave punësimi dhe përgatitja për tregun e punës e të rinjve në rajonin ndërkufitar vijon të mbetet një ndër çështjet që ka nevojë për zgjidhje nga hallkat përgjegjëse të shoqërisë. Rritja e kapaciteteve dhe mundësive ekonomike për këtë target grup, do të zgjerojë mundësitë që këta të rinj të jenë konkurues në tregun lokal dhe rajonal të punës.

“Jam shumë e lumtur që këtë herë më sjell në Shkodër një projekt dedikuar të rinjve, zgjerimit të njohurive, rritjes së kapaciteteve, përgatitjes për tregun e punës dhe mbi të gjitha krijimit të mundësive për të ecur përpara në një fushë shumë premtuese jo vetëm për zhvillimin e të rinjve, krijimin e mundesive për punë, por njëkohësisht edhe për zhvillimin socio-ekonomik të dy vendeve fqinje si Shqipëria dhe Mali i Zi, ” – u shpreh në eventin inagurues drejtoresha e World Vision Albania, Eljona Boçe Elmazi.

Përmes këtij projekti synohet që të rinjtë në zonën kufitare të Shqipërisë dhe Malit të Zi të kenë akses në shërbime, tregje dhe infomacion si dhe të përfshihen në të mësuar dhe zhvillim të vazhdueshëm. “Në kushtet kur shumica e nxënësve kanë mundësi të ulëta ekonomike, financimi i ideve shpesh duket i pamundur, këtë projekt e shoh si mundësi shumë të mirë për të mundësuar si te shprehim idetë tona dhe si t’i sjellim në jetë ato” – tha Uesli nga Shkodra në videon e prezantuar gjatë takimit.

Ndërkohë e reja nga Ulqini, Agnesa theksoi nevojshën e thellimit të njohurive, kërkimin për punë si dhe praktika në sferën e turizmit të cilat ndihmojnë që ata nesër të bëhen punonjës dhe pse jo edhe sipërmarrës të suksesshëm.

Gjatë kohës së implementimit (22 muaj), 100 të rinj nga Shkodra dhe Ulqini do mësojnë të bëjnë punë kërkimore, do të eksplorojnë ide të reja biznesi të cilat janë në përputhje me kërkesat e tregut. Për më teper do të trajnohen në shkrime projektesh dhe si rrjedhojë 10 projekt-idetë më të mira do të mbështeten financiarisht.