Nga Iljada, Korçë: “Të fortët” e shkollës po i shkatërrojnë fëmijërinë

IMG-20181116-WA0002

“Kur një fëmijë shkel në shkollë për herë të parë ndjen diçka që nuk mund ta përshkruajë. Madje, dikush si unë ëndërron ditën që të bëhet mësues.”

Këto janë fjalët e një 13-vjeçari, i cili ishte plot ëndrra kur nisi shkollë 9-vjeçare, por sot duket se gjithçka ka ndryshuar për të… Eshtë në moshën më të bukur të jetës së tij, por nuk mund ta shijojë fëmijërinë. “Bosët” e shkollës ia presin ëndrrat për ta jetuar fëmijërinë ashtu si duhet. Fakti se ai mban syze dhe nuk e ka njërin nga prindërit, ka bërë “të fortët” e shkollës ta ngacmojnë.

“Më thonë gjithmonë qorr… Unë dua të qaj, por jo në sy të tyre, sepse ata do të më tallin pastaj. Vetëm kur shkoj në shtëpi e mbyllem në qoshkën time të vogël mund të qaj,  sepse aty nuk më shikon askush!”- thotë 13-vjeçari.

Ndonjëherë ia heqin syzet dhe ia fshehin duke përfituar nga kjo dobësi e tij. Nuk del shpesh jashtë klasës, sepse i druhet faktit se mund ta vendosin në siklet në sy të shokëve. Edhe kur klasa organizon ndonjë ekskursion me shkollën, ai përpiqet ta shmangë për të vetmën aryse që të mos dëgjojë fjalët që i kumbojnë në vesh si shigjeta helmuese.

“Qorri! “Jetimi! Janë fjalë që për një fëmijë në një moshë të tillë janë shumë të rënda. Ajo që e lëndon më shumë është fjala jetim, sepse i kujton gjithçka ka kaluar me prindin e tij dhe i sjell ndërmend faktin që nuk jeton më.

Ai tashmë është kthyer në një fëmijë të mbyllur, që ka rënë shumë nga mësimet dhe të gjithë mësueset përpiqen të gjejnë shkakun se përse. Përse ai fëmijë aq entuziast u kthye në një djalë të strukur në vetvete?

Fjalët thumbuese nuk i largohen nga veshët as një moment. Ato kanë krijuar një djalë të ndrydhur nga shoqëria. Ato i fjalë i kanë ndryshuar jetën një qënie njerezore, ia kanë kthyer jetën në të padëshirueshme. E si ai ka dhe plot fëmijë të tjerë.

Le t’i ndihmojmë ne që ata të çlirohen nga kjo e keqe. Le të bëhemi se bashku një grusht i fortë kundër bullizmit!