Nga Erigerta, Lezhë/ “Ishim mirë, kur ishim keq”

foto Erigerta

Ishin vitet ’80. Sjell ndër mend rrugën e asfaltuar të fshatit Torovicë, me vija të bardha dhe të gjithë sinjalistikën me parametrat e nevojshme,18km larg qytetit të Lezhës”. E gjithë fëmijëria e mamit, kujtimet lidhen me rrugën e gjelbëruar nga plepat e gjatë, që lëshonin hije në të gjithë gjatësinë e saj. Rruga është JETA, arterie zhvillimi për vendin. Një vend dikur kënetë, e tharë nga të internuarit. Një ndër ta Todi Lubonja, me familjen e Fatos Lubonjës, atëhere në burg, por vajzat e tij Ana dhe Tetis vuanin dënimin për idetë e tyre anti-shtet. Banorët e saj, të ardhur nga e gjithë Shqipëria, kishin shumë shpresa për përmirësimin e jetës së tyre.

Dikur Torovica ishte një fermë e zhvilluar falë pjellorisë së tokës, por edhe kësaj rruge në të cilën kalonin makina të shumta që lidhnin veriun me jugun, lindjen me perëndimin dhe që eksportonin prodhimet vendase edhe në Evropë. Deri në kohën kur autostrada kaloi në fushën e Zadrimës, kjo rrugë ishte mjaft e frekuentuar nga makinat. Rruga i kishte dhënë zhvillim kësaj zone dhe jetesa ishte e mirë në këtë fermë të viteve 80-90”. Fermerët ngarkonin kamionët e huaj jugosllave dhe më vonë ata grekë, me prodhimin bujqësor( kryesisht shalqi). Ne identifikoheshim me këtë prodhim, më cilësorin dhe më të kërkuarin në rang vendi e më tej. Po bëhen 3 dekada demokraci dhe është marrë për mirëmbajtje nga firmat private por pa rezultat. Në çdo fushatë elektorale jepen premtime që vetëm kanë mbetur të tilla!

Rruga është prishur, shkatërruar. Ajo u “plak” nga pritja e gjatë! Më parë fshati kishte dentist, mjek, kopësht e çerdhe me drekë, kurse sot duhet të sëmuresh vetëm një ditë të martë kur mjeku vjen vetëm për 4 orë shërbimi, pasi rruga e bën të pamundur disponimin e tij. Emigrantët nuk po vijnë më si dikur për të shuar mallin e tyre, sepse rruga bën të vetën. Në periudha të ndryshme dhe në mënyra të ndryshme banorët kanë reaguar përë fituar të drejtat e tyre, por pa rezultat pasi krahas erozionit natyror po ndodh edhe “erozioni shoqëror!”.

Pas gjithë këtyre sakrificave dhe vuajtjeve, a e meritojnë këta njerëz të harrohen në këtë mënyrë të pashpirtë, duke mos menduar për të ardhmen e tyre?! Sot e kësaj dite kjo rrugë është e degraduar, duke privuar kështu të gjithë banorët e mbetur të Torovicës nga jeta normale. Përvec gjithë këtyre padrejtësive të bëra, kjo rrugë ka statusin “Rrugë Kombëtare” por ama vetëm në hartë pasi realiteti është mesjetar!

Cila do jetë rruga ime e jetës…

A duhet t’i përkas unë këtij vendi?