Çdo fëmijë ka të drejtë të jetë i mbrojtur ndaj të gjitha formave të dhunës, duke përfshirë abuzimin, neglizhimin, shfrytëzimin, trafikimin, pengmarrjen, pornografinë, abuzimin seksual, si dhe forma të tjera të dhunës. Kjo sanksionohet në Nenin 23 të Ligjit për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës, dhe World Vision Albania mbetet i vendosur për të ngritur kurdoherë zërin për çdo fëmijë, të cilit i shkelen të drejtat që ligji në fuqi i garanton.
Duke marrë shkas nga ngjarja e rëndë e bërë publike së fundmi, e cila tregon qartazi dhunën fizike dhe psikologjike të ushtruar ndaj një fëmije, World Vision Albania rithekson nevojën për të adresuar këtë çështje në mënyrë emergjente. Me forcë dhe me vendosmëri, ne dënojmë çdo veprim i cili shkakton ndëshkim trupor ose të ndonjë forme tjetër, dhe që sjell pasoja në zhvillimin fizik dhe mendor të fëmijës. World Vision beson që çdo fëmijë duhet dhe meriton të ketë një jëtë në plotësi, ndaj si një organizatë që punon për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve, kërkojmë ndjekjen deri në gjetjen e zgjidhjeve të duhura që sigurojnë mirëqenien e fëmijës.
World Vision mbështet fuqizimin e institucioneve publike, si autoritetet legjitime që duhet të sigurojnë dhe garantojnë mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Të gjitha institucionet dhe organet e posaçme që punojnë për garantimin e respektimit të të drejtave të fëmijës, duhet të jenë të përfshira në çdo hallkë të zgjidhjes që ofrohet. Bashkëveprimi ndër-institucional dhe koordinimi i ndërhyrjes, duhet të jetë praktika bazë drejtuese për secilin institucion, në mënyrë që të sigurohet mbrojtja e interesit më të lartë të fëmijës. Në çdo rast, konsiderojmë se përfshirja e punonjësit për mbrojtjen e fëmijës përgjatë gjithë procesit të menaxhimit të rastit, është jo vetëm përmbushje e një detyrimi ligjor, por edhe domosdoshmëri për të siguruar një përgjigje të suskesshme ndaj nevojave që ka një fëmijë i dhunuar. Ligji për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës përcakton në Nenin 51 se Punonjësi i mbrojtjes së fëmijëve kryen funksionin e menaxherit të rastit për fëmijët në nevojë për mbrojtje, që nga momenti i identifikimit apo referimit, gjatë hartimit e zbatimit të masës së mbrojtjes dhe Planit Individual të Mbrojtjes deri në përfundimin e tyre.
World Vision mbetet i angazhuar për të vijuar mbështetjen e punës së institucioneve përgjegjëse dhe organizatave të shoqërisë civile për të krijuar një mjedis të sigurt, ku çdo fëmijë, veçanërisht ata më të cënueshmit, të jenë të mbrojtur nga çdo lloj forme e dhunës, si edhe të marrin shërbimet e nevojshme të mbrojtjes.
Ne bëjmë thirrje për reflektim komunitar, në mënyrë që episode të tilla të dhunës të mos përsëriten, pasi në çdo rast kjo vendos në rrezik të tashmen dhe të ardhmen e fëmijëve. Ne besojmë se duhet një botë e tërë për t’i dhënë fund dhunës ndaj fëmijëve, ndaj World Vision mbështet fuqizimin e familjes dhe prindërve në ushtrimin e rolit të tyre me një qasje përkujdesëse dhe pozitive ndaj fëmijës, si dhe në restaurimin e marrëdhënieve të thyera brenda dhe jashtë familjes.
Ne punojmë në mbi
220
komunitete
10
zona të Shqipërisë
25
Bashki
50,000
fëmijë janë pjesë e programit të Letërkëmbimit.
Ne punojmë në
4
Komuna
14
Komunitete