Mes vëllezërish

Ensar Mergim foto

Ana, motra e Ensarit thotë se i duket e pabesueshme që tanimë Ensari ka filluar t’iu përgjigjet kur e thërrasin në emër, sepse i vëllai nuk mundej as të fliste e as të dëgjonte.

Djaloshi është 12 vjeç. Mjeku specialist ka konfirmuar se Ensari ka lindur me këtë problem, por nëse do kishte marrë trajtimin e duhur mjekësor deri në moshën 6 vjeçare, do kishte mundësi të rifitonte një pjesë të mirë të dëgjimit. Sipas mjekut, Ensari ka vetëm 5 % të dëgjimit dhe sugjeroi përdorimin e kufjeve specifike që mund t’ia përmirësojnë sado pak dëgjimin.

World Vision Shqipëri dhe Kosovë, së bashku me një mjek specialist kontribuuan në blerjen e kufjeve për Ensarin. Kanë kaluar disa muaj që atëherë dhe përmirësimet janë të dukshme siç tregojnë edhe familjarët.

Megjithatë ende ka nevojë për ndihmën e Mërgimit.

Ensari “dëgjon me veshët” e Mërgimit dhe flet përmes tij. Janë kushërinj dhe shokë të ngushtë.

Mërgimi tregon se kur ishin më të vegjël e shkonin në kopësht e kishte shumë të vështirë të kuptonte se çfarë Ensari pyeste, kërkonte, apo thoshte. Atëherë Ensari tregonte me gisht personin ose merrte në dorë objektin për të cilin fliste, në këtë mënyrë filluan të kuptonin pak nga pak njëri tjetrin. Krijuan gjuhën e tyre të shenjave që vetëm ata të dy e kuptojnë. Janë në të njejtën shkollë, klasë dhe bankë. Kur mësuesja shpjegon mësimin, njëkohësisht edhe Mërgimi ia shpjegon Ensarit se çfarë është duke thënë mësuesja; bëjnë detyrat bashkë, shikojnë televizor e luajnë derisa errësohet.