Elvisi, një mësues që mëson vlera

Ai ka lindur në Korçë dhe pasioni i tij për të bukurën dhe artin vetëkuptohet. Ishte 18 vjeç kur u largua nga Korça për në Rumani. Studioi atje për pikturë dhe pasi mbaroi studimet vendosi të jetonte e të punonte në Greqi, atje ku kishte familjen. Të ushtronte profesonin e piktorit atje ishte e vështirë. “Njerëzit habiteshin kur i thoja që jam shqiptar, sepse ata presin që shqiptarët të merren me blegtori dhe bujqësi, por jo me art”- rrëfen ai me keqardhje. Dëshira për ta ushtruar por edhe jetuar pasionin dhe profesionin e tij, si dhe vendosmëria për ta ushqyer atë edhe tek brezat e rinj, e ktheu Elvisin pas 3 viteve, në qytetin e lindjes.

E emëruan mësues vizatimi në shkollën e fshatit Volçisht ku mësojnë rreth 250 nxënës. “Nuk prisja parajsën kur u ktheva, por as të emërohesha në fshat nuk prisja. Të paktën të më emëronin në një shkollë qyteti”-  kujton ai. Ditët e para të punës për të, nuk qenë të lehta. Por nuk u desh shumë kohë dhe Elvisi, filloi të ndërronte mendim. “Pashë një përkushtim dhe pasion për pikturën tek fëmijët e shkollës që nuk e prisja”- thotë 36- vjeçari.

Ai vuri re, që në ditët e para, shumë fëmijë të talentuar por që nuk besonin tek aftësitë e tyre dhe nuk i kushtonin rëndësinë e duhur lëndëve si muzika po vizatimi.

Elvisi është nga ata mësues që beson se shkolla mund t’i mësojë fëmijëve dhe të rinjve edhe vlera krahas dijes. Ai i ka angazhuar në nisma të ndryshme, dhe ata e kanë ndjekur pas pa asnjë ngurim. “Njerëzit që duan artin janë të më ndjeshëm, më të butë dhe të kulturuar, prandaj në fillim i ushqeva me dashurinë për të bukurën. Më pas çdo gjë u bë më e lehtë”- rrëfen krenar Elvisi.

Bashkë, ata kanë mbjellë pemë dhe lule në oborrin e shkollës dhe i kanë dhënë jetë shumë klasave në shkollë përmes pikturave. Ata krenohen me ekspozitën që organizuan për një vajzë në shkollën e tyre, Oligertën. Deri më atëherë talentin ia njihte vetëm klasa. Elvisi u bë nismëtar që pikturat e saj të shfaqeshin në Pallatin e Kulturës në Maliq. Por ai nuk ndalet me kaq. Qëllim i tij i radhës është që edhe një tjetër nxënëse e shkollës së Volçishtit, Frija, të japë ekspozitën e saj.

Ai nuk e ka parë asnjëherë veten vetëm si një mësues pikture. Ai kalon kohë me nxënësit e tij dhe përkushtohet që ata të zbulojnë talentet e tyre. Andi, presidenti i qeverisë së nxënësve është një prej tyre.15-vjeçari tregon se si mësues Elvisi, e nxiti që të prezantonte shfaqjen e shkollës më 28 nëntor. “Unë kisha shumë qef, por kisha shumë emocione dhe kur bënim prova më dridhej zëri, më merrej fryma dhe më shkonin djersë. Mësuesi rrinte me mua pas mësimit dhe bënim prova. Më jepte zemër dhe fitova besim tek vetja”– thotë Andi.

Nisma e tyre e radhës synon të përmirësojë infrastrukturën e shkollës. Ata dëshirojnë të mbjellin më shumë pemë si dhe të shtrojnë oborrin.