Groshë Korçe

DSC_0584

Në ditët e sotme, Pandeli Malaveci arrin të marrë prodhim nga 35 dynym tokë. Vetëm 12 prej tyre i ka të familjes, kurse pjesën tjetër e merr me qera.

Më parë i shpenzonim ato pak të ardhura që kishim kuturu, pa ditur ti menaxhonim siç duhet, pra nuk dinim se çfarë të mbillnim e se cilat ishin prodhimet që kjo tokë mund të rriste më mirë. Duke qenë se kemi shumë tokë tani, me sezone marrim edhe 5-10 punëtorë se ia dalim dot vetëm unë me gruan. Kështu kemi zgjidhur problemin tonë financiar” – kujton ai vite të shkuara.

Ka provuar të bëjë dhe zanat tjetër më parë, siç është ndërtimi, por pavarësisht se fitimet ditore i kishte të mira, puna ishte sezonale. Kështu vendosi t’i rikthehej tokës dhe të mbjellave. Në fillim e kishte të vështirë të nxirrte edhe paratë e haxhuara për farat, mirëmbajtjen dhe rritjen e prodhimeve, kurse për fitime ishte ende herët të flitej, tregon korçari: “Duhej gjetur një zgjidhje sepse fëmijët rriteshin e bashkë me ta edhe shpenzimet. Në atë kushte më dridhej shpirti që fëmijët mos ta vazhdonin shkollën, se edhe kanë mësuar. Atëherë e vija në dyshim për shkak të kushteve financiare, por i vura detyrë vetes që të punoja me gjithë forcat vetëm e vetëm të nxirrja fëmijët në dritë. Dhe çdo gjë u lidh vetë, natyrshëm. U njoha me World Vision.

Për 2 vite rresht u bë pjesë e trajnimeve që organizonte World Vision Shqipëri dhe Kosovë. Në këtë mënyrë do të mësonin si të menaxhonin biznesin, kulturat që do mbillnin, zgjedhjen e farave, njohjen e tokës e kujdesin e vazhdueshëm për të marrë prodhim cilësor. Ai thotë se tani merret kryesisht me prodhimin e fasules, patates dhe specit.  E filloi duke mbjellë pak nga pak duke hedhur hapa të ngadaltë, por të sigurtë sepse fitimet e sotme e kalojnë dyfishin e të ardhurave që merrte 4-5 vite të shkuara. Ai na thotë se pa shokë nuk arrihet asgjë, kështu që edhe ai e ka pasur një mik që i ka treguar rrugën: “Është organizata dhe nuk ka qenë vetëm për mua, por edhe për shumë të tjerë, në drejtime të ndryshme. Na kanë ndihmuar në pastrimin e kanaleve kulluese, hapjen e puseve të ujit kush ka pasur nevojë, me pompa për vaditjen e tokave. Një nga teknikat që kemi mësuar është  se dikur përdornim drurin dhe telin për të rregulluar prodhimet, tani përdorim kallamat që do të thotë se fasulja rritet më shumë e sjell më shumë prodhim, nuk prishet e rri më e pastër. Pra pa përmendur që vetëm falë kësaj ndihme djali vazhdon shkollën e lartë për infermieri në Korçë, kurse vajza është në Pojan në shkollë të mesme, por angazhohen edhe në grupet e të rinjve në World Vision. Kurse unë dhe gruaja vazhdojmë të punojmë në fushë” – tregon ai i kënaqur dhe falenderues që çdo gjë po i shkon mbarë.