Eljona Boçe Elmazi – drejtuese e skuadrës së World Vision për Ballkanin Perëndimor

Foto-Eljona-Boce-Elmazi

Skuadra e World Vision për Ballkanin Perëndimor, që nga 1 shkurti 2018 drejtohet nga Eljona Boçe Elmazi. Znj. Boçe i përket brezit të parë të psikologjisë, diplomuar në Fakultetin e Shkencave Sociale në Tiranë. Ka përfunduar studimet master në administrim publik në Fakultetin e Ekonomisë në Tiranë dhe vijon studimet e doktoraturës pranë Clemson University, në Karolinën e Jugut, në studime ndërkombëtare për familjen dhe komunitetin.

E përkushtuar herët në karrierën e saj për të sjellë ndryshim social, Eljona ngriti një përvojë të gjatë në organizata lokale, ndërkombëtare dhe institucione shtetërore duke shërbyer si psikologe, drejtuese programesh psikosociale e zhvillimi komunitar dhe si kërkuese sociale. Për tetë vjet, Eljona u përfshi si lektore e jashtme pranë degës së psikologjisë në Fakultetin e Shkencave Sociale.

Eljona u bashkua sërish në World Vision, në 2015-ën, pas përvojës në menaxhim në Projektin e Këshillit të Europës dhe Bashkimit Europian për Arsimin Gjithëpërfshirës në shtatë vende të Ballkanit Perëndimor. Në dy vitet e fundit Eljona drejtoi skuadrën teknike të programeve dhe më pas departamentin operacional në World Vision në Shqipëri, duke kontribuar në procese të rëndësishme strategjike të organizatës. Eljona jeton në Tiranë me familjen e saj, bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre.