Zonja e shtëpisë

Rudina - Korce

Për 10 vite, Rudina iu përkushtua me shumë dashuri familjes së saj, dhe djemve të vegjël. Por sot jeta e saj ka marrë një tjetër rrjedhë.

Ajo sot mendon dhe punon si një sipërmarrëse. Në fund të Marsit do fillojë mbjelljen e tokave me fasule, patate dhe qepë duke krijuar një biznes të vogël për të mbajtur familjen e për të dërguar fëmijët në shkollë. Më parë kujdesesha për dy djemtë e për çdo punë brenda pragut të shtëpisë- tregon Rudina.

Bashkëshorti i saj mendonte se ishte shtylla e shtëpisë dhe i takonte atij të siguronte të ardhura për familjen. Nga ana tjetër ai besonte se detyra e vetme e gruas së tij ishte të kujdesej për familjen e mbi të gjitha për edukimin e fëmijëve. Vitet kalonin, fëmijët rriteshin dhe në periudhën kur të ardhurat në familje duhej të shtoheshin, bashkëshorti i Rudinës u aksidentua. Tani më lindte detyra që unë si Rudina të dilja të punoja në fushë. Ka qenë shumë e vështirë se nuk kemi në shtëpi as kafshë e as makineri për të mbjellë tokat. Por falë përfshirjes sonë në projektin e Lehtësimit të Biznesit, tani kemi edhe një motokultivator që punojmë me radhë me 3 bashkëfshatarë të tjerë. Kemi edhe një pompë që më ndihmon shumë në vaditje.

Për mua ka qenë ndihmë e jashtëzakonshme, se nuk e di si do kisha bërë. Kam qenë vetë për çdo gjë përgjegjëse që nga momenti që bashkëshorti u aksidentua: për shtëpinë, djemtë dhe bashkëshortin dhe për bujqësinë. Ne kemi marrë pjesë edhe si çift në trajnimin e Lehtësimit të Biznesit dhe mua më ka ndihmuar shumë që avash avash të filloj të realizohem si nënë, si grua, si fermere” – rrëfen sipërmarrësja e re korçare. Më parë ata nuk kishin pasur mundësi të dilnin si familje, e as nuk kanë shkuar diku për të bërë disa ditë pushime. Të gjithë e vuanin në heshtje pamundsinë për të kaluar një ditë ndryshe.

Por trajnimi i World Vision “Festojmë familjen” që u organizua në Vlorë i dha mundësinë Petritit, Ledios, Armandos dhe Rudinës të ishin bashkë si një familje, aq më tepër në një qytet bregdetar. Atje kemi treguar historitë e femijërive tona, dhe aty kuptuam përse sillemi në një mënyrë të caktuar kur rritemi e bëhemi prindër. Para se të merrja pjesë në këtë trajnim kam qenë shumë e rreptë me fëmijët, sepse më pëlqen rregulli dhe korrektësia.

Tani kam ndryshuar. Flas më shumë me fëmijët, i përfshij në diskutimet familjare të cilat na prekin të gjithëve. Djali i madh tani është 15 vjeç dhe nuk ka nevojë t’i ngresh zërin sepse na kupton me fjalë apo edhe me një shikim ” – shpjegon zonja e familjes. Edhe Petriti ka ndryshuar. Sheh peshën që zonja e tij është e aftë të përballojë e t’ia dalë mbanë me sukses. Tashmë ai e pranon dhe e beson se burri dhe gruaja janë të barabartë dhe përgjegjësitë duhen ndarë. Kurse Rudina dëshiron të vazhdojë të punojë, të mos kufizojë fëmijët, por t’iu sigurojë mundësinë për të shkuar në shkollë, mos të ngelin të pa një profesion apo zanat siç ngeli ajo dikur.